Kryediplomatët e G-20 do të takohen këtë javë në Indonezi

16:44 | 6 Korrik 2022
E.H

Agresionin rus në Ukrainë dhe ndikimet tek siguria globale energjetike dhe ushqimore do të jetë në qendër të takimit të ministrave të jashtëm nga vendet më të mëdha të botës, që zhvillohet këtë javë në Indonezi.

Por në vend që të ofrojnë unitet, bisedimet mund të thellojnë ndarjet mbi konfliktin në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi do të marrin pjesë në takimin e Balit.

Kjo do të jetë hera e parë që kryediplomatët Blinken dhe Lavrov do të jenë në të njëjtën sallë që nga muaji janar.

Ukraina do të dominojë diskutimet ndërsa ministrat e jashtëm nga 20 vendet më të pasura të botës takohen këtë javë në Bali të Indonezisë, në prag të takimit të nivelit të lartë të G-20 në muajin nëntor.

Por kryediplomati amerikan nuk ka në plan të bisedojë me homologun rus për të negociuar dhënien fund të konfliktit në Ukrainë.

“Nuk mund të jap detaje, por sigurisht nuk pres ndonjë takim mes Sekretarit Blinken dhe zotit Lavrorv”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Kremlini ka njoftuar se presidenti rus Vladimir Putin do të marrë pjesë në takimin e nëntorit, të organizuar nga Indonezia. Edhe udhëheqësit e G-7 kanë njoftuar pjesëmarrjen.

Zëri i Amerikës pyeti Shtëpinë e Bardhë, nëse një zgjidhje e negociuar do të ishte e mundur deri në nëntor.

“Ajo që kemi vënë re nga Presidenti Putin është se ai nuk e ka mendjen, ose nuk ka dëshirë për të negociuar. Qasja jonë nuk ka ndryshuar. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën, do të vazhdojmë të ndihmojmë Ukrainën të luftojë për demokracinë dhe integritetin e saj territorial”, tha Karine Jean-Pierre, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Rusia vazhdon të mbrojë qëndrimin e saj.

“Operacioni ushtarak special do të vazhdojë deri në përfundimin e detyrave të vendosura nga komandanti i përgjithshëm suprem”, tha Sergei Shoigu, Ministri i Mbrojtjes ruse.

Ukraina vazhdon të qëndrojë e palëkundur.

“Nuk kemi alternativë tjetër, ka të bëjë me pavarësinë tonë, për të ardhmen dhe fatin e mbarë kombit ukrainas”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy.

Kjo vendosmëri, thotë analisti Mark Cancian, parasheh një konflikt të gjatë.

Është më e ndërlikuar, thotë ai, pasi Rusia ka diçka që i intereson Uashingtonit.

Autoritetet ruse kanë katër muaj që kanë ndaluar lojtaren amerikane të basketbollit Brittney Griner nën akuza për drogë.

Shtetet e Bashkuara thonë se ajo është ndaluar gabimisht.

“Gjithmonë ka shtetas amerikanë që mbahen nga qeveritë e huaja. Shumica e tyre nuk tërheqin shumë vëmendje, sepse janë shkelje rutinë të ligjeve lokale. Disa prej tyre tërheqin vëmendje të madhe, sikurse basketbollistja Griner. Përfundimisht do të ketë marrëveshje. Shtimi i vëmendjes rrit edhe çmimin. Me fjalë të tjera, Rusia do të përfitojë më shumë në këmbim të lirimit të saj”, thotë për Zërin e Amerikës analisti Mark Cancian, me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Pas katër muaj luftimesh, dhjetëra mijëra jetëve të humbura, miliona civilëve të zhvendosur, disa takimeve të niveleve të larta dhe diplomacisë së vazhdueshme, konflikti në Ukrainë tregon një të vërtetë themelore: lufta është e vështirë, por arritja e paqes mund të jetë akoma më e vështirë.voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme