LDK kërkon shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, Zemaj: Shtrenjtuan rrymën në mënyrë të padrejtë

14:04 | 6 Korrik 2022
Fjolla Bajraktari

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në seancën e sotme të Kuvendit ka folur për propozimin e kësaj partie për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, shkruan arbresh.info.

Në fjalën e tij, Zemaj ka thënë se ky bord nuk ka arritur të përmbushë objektivat e parashtruara nga Kuvendi për mbrojtjen e interesit të qytetarëve.

“Ky bord në mënyrë të padrejtë ka bërë shtrenjtimin e energjisë elektrike. Tashmë ka vendime të gjyqësorit që të ndalet pagesa e energjisë elektrike me tarifën e shtrenjtë, ndërsa qytetarët po vazhdojnë të kryejnë këto pagesa të faturave me tarifë të shtrenjtë. Andaj, në këtë krizë ekonomike ne kemi propozuar shkarkimin e këtij bordi që ka rënduar jetën e qytetarëve”, ka thënë Zemaj.

Kujtojmë se ZRRE-ja, për shkak të krizës energjetike kishte lejuar ngritjen e çmimit të tarifës së energjisë elektrike, por se ky vendim ishte hedhur poshtë nga Gjykata.

Megjithatë, qytetarët e Kosovës po vazhdojnë pagesën e energjisë elektrike me çmime të ngritura, pasi që ZRRE-ja ende nuk e ka hequr vendimin për ngritjen e tarifave./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme