Google ADS

Kurti takoi drejtoren e Manifesta Biennial, Hedwig Fijen

15:15 | 3 Korrik 2022
A. B.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, priti në takim drejtoren e Manifesta Biennial,  Hedwig Fijen.

Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Manifesta Biennial, si një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës dhe artit në Evropë, që do të hapet më 22 korrik 2022.

Ai shprehu mirënjohje për angazhimin, punën e palodhshme dhe bashkëpunimin ndërmjet strukturave kulturore në Kosovë dhe Manifesta Biennial, me bazë në Amsterdam, Holandë.

U bisedua për mbarëvajtjen rreth organizimit të Manifesta Biennial, si organizim i rrallë që po ndodhë për herë të parë në rajon, që do të jetë edicioni më i madh me artistë dhe me vendngjarje. U diskutua edhe për bashkëpunimin me akterë të ndryshëm në kulturë dhe edukim, dhe potencialin për sinergji të reja në të gjithë sferat socio-kulturore në Republikën e Kosovës.

Në takim u ritheksua rëndësia e impaktit të bienales në hapjen e mundësive të reja të bashkëpunimit me profesionistët ndërkombëtarë, ngritjen e kapaciteteve profesionale të të rinjve kosovarë në art dhe kulturë, krijimin e mundësive të reja të rimendimit të hapësirave kulturore dhe ri-vitalizimin e skenës kulturore në Kosovë.

Manifesta, Bienalja Nomade Evropiane do të sjellë në Prishtinë një program artistik 100 ditor me performanca, punëtori e organizime të ndryshme artistike./arbresh.info/​

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme