Google ADS

Si të ruheni?| Temperaturat e larta mund të jenë vdekjeprurëse

10:07 | 2 Korrik 2022
L G

Temperaturat e larta në Kosovë, po bëjnë që shumë njerëz të kërkojnë ndihmë nëpër qendrat e mjekësisë familjare, por edhe në qendrat emergjente të spitaleve.

Sipas drejtorit të emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, temperaturat e larta mund të shkaktojnë dëme serioze, dhe madje të çojë deri në vdekje.

“Problemet janë shumë të mëdha, ngritja e shtypjes së gjakut, problemet kardio vaskulare, problemet cerebrale, ne kemi shumë raste, për shkak të ekspozimit në një kohë më të gjatë të diellit vijnë persona deri te edema cerebrale, pra te edema e trunit, raste të tilla, kemi pa që kanë përfundua në intensivë”, tregon Syla për arbresh.info.

Numri i rasteve që po kërkojnë ndihmë në emergjencë, është duke u rritur sipas Sylës, në krahasim me muajt e kaluar.

“Rreth 20 qind është numri më i lartë i personave që kërkojnë ndihmë tek ne”, tha Syla.

Syla rekomandoi që personat me sëmundje të ndryshme kronike, të marrin terapi me rregull, dhe të mos qëndrojnë në diell.

“Çdo pacient i cili është me sëmundje kronike, jo vetëm ata me shtypje të lartë të gjakut, por edhe ata me sëmundje si ato kardio vaskulare, cerebrale, metabolike, reumatizmale, me çdo sëmundje kronike, nuk preferohet në temperatura të larta me iu ekspozua rrezeve të diellit. Pra duhet më i ikë pikut të ditës kur është temperatura më e lartë”, shprehet Syla, për arbresh.info

Ai tregoi se edhe nëse pacientët marrin terapi me rregull, kjo nuk e ndalon që ekspozimi në diell në temperaturat e larta t’i shkaktojnë komplikime shëndetësore.

Nga ora 10 e ditës deri në ora 17 këta persona por edhe fëmijët nuk duhet t’i ekspozohen diellit.

“Do të thotë para orës 11 është dalja e lirë, ndërsa pas asaj kohe deri në ora 17 preferohet që ata pacient me sëmundje kronike, por edhe nëse nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje, poashtu edhe fëmijët, nuk duhet të ekspozohen assesi në diell. Nëse duhet të dalin patjetër, ata duhet të mbulojnë kokën, e të mbajnë ombrella”, rekomandon Syla.

Ai shtoi se assesi personat kronik nuk duhet në këtë periudhë kohore të verës, të anashkalojnë marrjen e terapisë./arbresh.info/Kujtesë Berisha/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme