Kuvendi nuk miraton rezolutën e LDK-së për ngritjen e çmimeve të produkteve

19:09 | 30 Qershor 2022
L G

Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për ngritjen e çmimeve të produkteve.

Pro miratimit të rezolutës votuan vetëm 24 deputetë opozitarë, ndërsa kundër ishin 47 deputetët e mazhorancës.

Para se të vihej në votim, pushteti dhe opozita u përplasën ashpër edhe për inicimin e një rezolute të re nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se rezoluta e tyre përmban kërkesa konkrete për Qeverinë e Kosovës.

“Rezoluta e GP të Lëvizjes Vetëvendosje kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërmerren veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë. Si dhe përmes instrumenteve monitoruese të ndalë përpjekjet për shfrytëzimin e kësaj situate nga abuzuesit”, tha ajo, transmeton telegrafi.

Mirëpo, kritik u shpreh shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

“Tash momentet e fundit kuptojmë se partia në pushtet ka propozuar një rezolutë. Çfarë logjike ka pushteti të propozojë rezoluta, pushteti merr vendim, bën veprime, propozon ligje? Çka është kjo – pushteti të propozojë rezoluta?… Kjo sjellje është tendencioze me qëllim të kapjes së vendimmarrjes në këtë kuvend, por gabim e keni”, tha ai.

Pas dështimit të miratimit të rezolutës, opozita lëshoi sallën, ndërsa kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca mbylli punimet duke thënë se seanca plenare do të vazhdojë nesër, në orën 10:00.

Të ngjashme