Google ADS

Nagavci i quan ‘koalicione’ dhe marrëveshje jo parimore zgjedhjet në Këshillin Drejtues

12:42 | 29 Qershor 2022
arbresh.info

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, i ka quajtur “koalicione” dhe marrëveshje jo parimore zgjedhjet në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, dhe ka mirëpritur masat e marra për shkeljet diciplinore.

“Siç e kam thënë edhe javën e kaluar, zgjedhjet e reja për anëtarë të Këshillit Drejtues riprodhuan situatën e vjetër. Lakmia e individëve për të dominuar me Këshillin Drejtues prodhoi koalicione dhe marrëveshje joparimore brenda Senatit akademik, pjesë e të cilave janë menaxhmenti aktual, përfaqësuesit e stafit akademik dhe përfaqësuesit studentorë. E gjithë kjo rezultoi me një përfaqësim në Këshillin Drejtues me të cilin nuk mund të jemi të kënaqur. Nuk u përfill as veprimtaria akademike, as reputacioni, as angazhimi shoqëror i individëve, por vetëm interesat personale dhe grupore për ta vënë nën kontroll organin më të lartë qeverisës të Universitetit”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka shprehur shqetësimin se u zgjedhën pesë anëtarë në mesin e të cilave nuk është asnjë grua, përkundër faktit se mbi 60% e stafit të rregullt akademik janë gra. MASHT-i distancohet krejtësisht nga ky proces zgjedhor dhe siguron opinionin se nuk ka bërë asnjë lloj ndikimi për asnjë nga kandidatët që kanë garuar për anëtarë të Këshillit Drejtues.

“Aludimet se kemi ushtruar ndikim përmes një organizate studentore janë të papërgjegjshme dhe nuk kanë asnjë bazë. Isha shumë e qartë në shprehjen e qëndrimit tim në raport me rolin e përfaqësuesve studentorë, të gjithëve pa përjashtim, në këtë proces zgjedhor”, ka deklaruar Nagavci.

Ministrja Nagavci ka folur edhe për vendimin e Këshillit të Etikës për masat e shqiptuara ndaj profesorëve të UP-së, Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit.

“Fillimisht, dua ta përshëndes adresimin e raportimeve të kësaj natyre nga ana e Këshillit të Etikës, i cili tanimë ka shqiptuar masa ndaj dy anëtarëve të stafit akademik. Masat e tilla duhet të kenë efekt parandalues në të ardhmen, si dhe të reflektojnë një distancim të qartë të komunitetit akademik nga praktikat e plagjiarizmit dhe shkeljeve të tjera etike në hulumtime dhe publikime”, ka deklaruar Nagavci./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme