Në festën e Vidovdanit bënte thirrje dhe nxiste urrejtje e përçarje, arrestohet një shtetas i Serbisë

15:58 | 28 Qershor 2022
A. B.

Policia e Kosovës njofton se ka shoqëruar në stacion policor një shtetas të Serbisë, pasi i njëjti në festën e Vidovdanit që po mbahet sot, dyshohet se ka bërë thirrje si dhe ka nxitur urrejtje e përçarje.

Në njoftim thuhet se lidhur me rastin të gjitha veprimet e mëtejme do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent.

Po ashtu, policia thotë se lidhur me këtë manifestim tradicional me kohë ka përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, para, gjatë dhe pas manifestimit.

“Me qëllim që ky manifestim të kalojë qetë dhe pa incidente, janë paraparë ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimi të zhvillohet në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në komunikatën për media.

Në kuadër të realizimit të planit operativ “Vidovdani 2022”, policia bën të ditur se në orët e mëngjesit në pikat kufitare Vermice dhe Kullë, gjatë kontrollit policor zyrtarët kufitarë në tri raste të ndara kanë ndaluar për kontrolle dhjetë persona serb shtetas të Malit të Zi.

“Gjatë kontrollit në bagazhet e automjeteve të tyre janë hasur disa ndërresa (maica) të dyshuara me mbishkrime të nxitjes së urrejtjes”.

“Lidhur me rastet janë kontaktuar prokurorët kompetent, me vendim të të cilëve personave në fjalë iu është refuzuar hyrja në Kosovë, përderisa ndërresat (maicat) me mbishkrime të ndryshme janë konfiskuar”, përfundon njoftimi. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme