Raporti Botëror i Drogave, Shqipëria renditet e shtata në botë për kanabisin

09:19 | 28 Qershor 2022
A. B.

Shqipëria përmendet si një nga vendet kryesore në botë të kultivimit të kanabisit në raportin e fundit botëror të drogave 2022, një publikim i UNODC, zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimet.

Sipas raportit, Shqipëria është e shtata në botë nga shtetet më të përmendura për origjinën, nisjen dhe tranzitin e barit të kanabisit për periudhën 2016-2019, (nga 154 shtete gjithsej) pas Marokut, Afganistanit, Spanjës. Holandës, Pakistanit dhe Libanit (shiko grafikun).

Raporti thekson se kanabisi prodhohet ilegalisht në çdo rajon në botë. Kultivimi i kanabisit u raportua ose përmes treguesve direkte (si kultivimi apo asgjësimi i bimëve, ose asgjësimi i fushave të mbjella) ose tregues indirektë (sekuestrimi i bimës, raportet mbi origjinën e kanabisit të sekuestruar) nga të paktën 154 shtete për periudhën 2010–2020.

Sipas raportit, Shqipëria renditet e para në rajonin e Europës Juglindore në analizën e disa treguesve për periudhën 2010–2020, të cilat sugjerojnë vendet që kanë një kultivim të konsiderueshëm të kanabisit, i cili (a) eksportohet ose (b) prodhohet për kultivim të brendshëm. Pas Shqipërisë renditen Turqia, Rumania e Bullgaria.

Shqipëria përmendet edhe në të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit për heorinën, që fillon nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe përfundon në vendet e Europës Perëndimore.

Një tjetër raport, i publikuar së fundmi nga Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave (EMCDDA) rreth një muaj më parë, konstatonte se grupet kriminale shqiptare, që prej vitit 2017 jo vetëm që janë zgjeruar, por edhe janë sofistikuar, duke kontrolluar si importin ashtu dhe shpërndarjen e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në tregjet europiane. /Monitor/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme