Shqipëri, turistëve u bëhet thirrje të shmangin blerjet në rrugë

01:16 | 28 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Jeta Deda ka folur për sigurinë ushqimore në vendin tonë.

Gjatë një interviste në “News 24”, Deda i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos blejnë ushqime të tregtuara në rrugë.

Ajo shtoi se kujdes duhet treguar edhe në lidhje me etiketat të cilat duhet të jenë në gjuhën shqipe, si dhe për kushtet e ruajtjes së produkteve.

“Nisja e sezonit ka treguar në krahasime vitin e kaluar në shtim të numrit të inspektimit, marrjes së mostrave jo konform, masave administrative etj. Problemet kryesore, nga duhet të ruhen turistët? Do të thosha që ajo nga e cila duhet të ketë kujdes konsumatori është që produkti të jetë i pajisur me etiketë, e jo me një gjuhë të panjohur për të por në gjuhën shqipe, ndryshe do të thotë që nuk ka kaluar në sytë e ekspertëve, AKU dhe se nuk ka një fletë analizë. Një nga rastet është alergen, psh kikiriku ose soja, të cilët rrezikojnë jetën dhe shëndetin e personave të cilët mund të jenë alergjikë ndaj tyre. Nuk është qëllim vetëm goditje e informalitetit po të kemi në tryezë produkte të kontrolluara, një produkt me certifikatë fitosanitare, të gjitha janë të rëndësishme. Të shmanget blerja në rrugë dhe të rritet në operatorë të kontrolluar. Për pjesë e kontrabandës duhet të shprehemi bashkë me doganat e policinë, flasim për mallrat që kalojnë në pikat e inspektimit kufitar, pra janë në sistemin e gjurmimit. Brenda këtij viti jemi pjesë e sistemit që importet dhe eksportet do të kalojnë online për të qenë të aksesueshëm për kontroll edhe nga qytetarët europianë. Etiketa tregon që kanë kaluar të gjitha hallkat, por duhet pasur kujdes që të shohim edhe kushtet e ruajtjes së produkteve. Kemi inspektorë mjaftueshëm për të mbuluar pikat kufitare, jemi të shtrirë në 12 drejtori rajonale. Sa i përket rrezikut e korruptueshmërisë së inspektorëve, kemi ndjekur një metodë sa i përket denoncimeve. Përveç që kemi raportuar në drejtorinë përkatëse, në një moment të dytë kemi dërguar strukturën tonë të rrjetit antikorrupsion për të vëzhguar. Ky pozicion ka pasur raste suksesi që ka dërguar në autoritetet përkatëse raste të cilat janë ndëshkuar. Çdo ankesë e denoncim regjistrohet në platformën e bashkëqeverisjes i shkon edhe anti korrupsionit. Nëse kanë kontakt me një inspektor të tillë bëjmë thirrje të njoftohet për të në mënyrë që të merren masa. Së pari duhet thënë që produktet në treg janë të sigurta për konsum. Patjetër ka problematike, pro mbikëqyrja është në çdo operator të biznesit ushqimor, për të verifikuar etiketat e për të marrë mostra”,- tha Deda.

 

Të ngjashme