Trudeau u thotë amerikaneve: Nëse doni të abortoni, ejani tek ne

01:07 | 28 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Kryeministri kanadez Justin Trudeau paralajmëroi se vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA për të anuluar të drejtën kushtetuese për abort mund të çojë në humbjen e të drejtave të tjera dhe theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të lejojë gratë amerikane të abortojnë në Kanada.

Trudeau e quajti vendimin e gjykatës të tmerrshëm dhe shprehu shqetësimin se vendimi mund të lejojë një ditë heqjen e mbrojtjes ligjore për marrëdhëniet homoseksuale, duke përfshirë të drejtën e çifteve të të njëjtit seks për t’u martuar, raporton Washington Post, transmeton portal arbresh.info

“Ne e dimë se kjo është një kohë jashtëzakonisht e frikshme dhe dekurajuese për kaq shumë gra. Gratë kanë luftuar për breza të tërë për më shumë të drejta në SHBA dhe tani e shohin këtë dështim. Tani ato janë të shqetësuara për humbjen e të drejtave të tjera gjithashtu”, tha ai.

Trudeau nuk iu përgjigj drejtpërdrejt nëse qeveria e tij do të ndihmonte qytetarët amerikanë që kërkojnë abort në Kanada, por tha se gratë amerikane që e gjejnë veten në Kanada do të kenë akses në sistemin kanadez të kujdesit shëndetësor dhe do të jenë në gjendje të abortojnë.

Megjithatë, kostoja dhe posedimi i një pasaporte kanadeze e bëjnë këtë një opsion shumë të vështirë për shumë gra amerikane.

Vendimi i gjykatës ka të ngjarë të çojë në një ndalim të abortit në gjysmën e shteteve në Shtetet e Bashkuara./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme