Nga: Mentor Nazarko
Kriza politike në Kosovë ofroi një moment të ri me shfaqjen si njëlloj negociatori, të kreut të Parlamentit shqiptar, Ilir Meta. Kemi të bëjmë me një negocim për dialog mes palëve politike, pavarësisht përpjekjes së Metës për të mos marrë pozita paternaliste. Me gjasë dhe duke llogaritur dështimin, Meta tha se ishte në Kosovë për një darkë private me homologun e tij, Veseli. Me këtë mision, Meta kryesisht takoi një palë (nuk duket se takoi përfaqësues të shumicës qeverisëse, Mustafën apo Thaçin), por ai u përpoq për të sheshuar diferencat, duke bërë thirrje për të gjetur zgjidhje institucionale, që nis nga dialogu me Presidenten, hap i cili u hodh dje.
Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, ndoshta duhet kuptuar pak më qartë konteksti i kësaj iniciative. Kosova ka hyrë në një krizë politike dhe institucionale, pse opozita konteston dy marrëveshje ndërkombëtare të firmosura nga qeveria, atë për Asosacionin e Komunave serbe në Kosovë dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Nuk ka diskutim se ky angazhim maksimalist apo përmirësues i opozitës në këto dy çështje është i dobishëm për pozitën negociale të Kosovës në marrëdhëniet rajonale, por sigurisht kjo pozitë do të ishte më e fortë nëse opozita do të ishte përfshirë shumë më parë. Atëherë kur negocioheshin marrëveshjet.
Opozita kërkon pa kthim tërheqjen e këtyre dy marrëveshjeve, pa pritur, madje pa aktivizuar institucionet përgjegjëse si Gjykata Kushtetuese, apo Presidentja për të rishikuar ato në përmbajtje apo në procedurë. Madje, e reja e djeshme ishte kërkesa për referendum për dy marrëveshjet, ose zgjedhje të parakohshme. Kështu, qasja e opozitës është maksimaliste. Nëse do të plotësoheshin kërkesat e saj, Kosova do të paraqitej edhe jashtë në marrëdhëniet ndërkombëtare, me njëlloj mungese serioziteti, si vend që i ha fjalët dhe marrëveshjet.
Por, opozita nuk shqetësohet për këtë. E fortë nga fitimi i betejës mediatike me qeverinë, në një opinion publik gjithmonë e më të frustruar me Perëndimin, e trimëruar nga protestat e dhunshme, deri diku masive, opozita ngjan se po flet me një zë, pavarësisht se është trepalëshe. Gjithë këto elementë e bënin dhe e bëjnë të vështirë çdo vepër negociatore nga brenda dhe nga jashtë. Në kushtet kur nga brenda Parlamentit, brenda shoqërisë së Kosovës nuk pranohen personalitete që të sigurojnë ndërmjetësime të tilla, afërmendsh që ata do të vijnë nga jashtë saj.
Elementi më i rëndësishëm që duhet pasur parasysh megjithatë, është fakti se vizita e Metës u parapri nga ajo e Sekretarit amerikan të shtetit Kerri. Kerri në njëfarë mënyre i mbrojti marrëveshjet, duke kritikuar opozitën për qasjen e saj të dhunshme kundër tyre. Mesazhet e SHBA-ve, nëpërmjet Kerrit, me gjasë duhet ta kenë zbutur sadopak frontin opozitar, të paktën aleatët e Vetëvendosjes, në mos krahun e moderuar të kësaj partie.
Vizita e Metës, dhe mënyra si ai iu qas procesit, është brenda kësaj linje: i shërben relaksimit të marrëdhënieve politike në Kosovë, veçanërisht pas vizitës së Kerrit, por dhe shumë më shumë se kaq. Meta ka besuar se në Kosovë po përjetohet një situatë e shpeshtë në konfliktet politike jo thjesht ballkanase, kur palët “ndërluftuese” janë zbutur për hesapet e tyre, dhe për të ruajtur fytyrën, duan një ndërmjetës nga jashtë. Deklaratat e para zbutëse, veçanërisht të aleatëve të Vetëvendosjes, pas shmangies së dhunës nga protesta e fundit në Gjakovë e krijojnë këtë bindje. Kushti i parë, ai i lirimit të të burgosurve, është një kusht i realizueshëm dhe që ia vlen të realizohet, me gjithë një dukje shumë më efektive se në Shqipëri, të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë në Kosovë. Për kushtin tjetër, nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës shprehet në mënyrë kritike ndaj marrëveshjeve, në një formë ose një tjetër, krijohen premisat për dialog sepse për marrëveshjet do imponohej rishikimi. Dje dolën në skenë kërkesa të reja- referendum ose zgjedhje, por politika kosovare, me ndonjë përjashtim, nuk se shquhet për qëndrueshmëri në marrëveshje, por për transformizëm të vazhdueshëm.
Ky lloj angazhimi që i krijon Metës një vitrinë jashtë Shqipërisë, në një krizë me interes dhe për SHBA-të, është në stilin dhe mundësitë e tij. Dhe Meta i ka nuhatur përfitimet në imazhin e tij personal jo thjesht brenda vendit, apo në hapësirën shqiptare. Për më shumë ai, Meta, hyri në këtë punë duke pasur në favor të vetin, marrëdhëniet e mira personale me të gjithë liderët e politikës kosovare, ndoshta duke përjashtuar Vetëvendosjen. Por dhe ndaj tyre ai vinte me kostumin e kryetarit të Kuvendit, ndaj më së paku, ata ishin të detyruar ta prisnin.
Ky rol është në përputhje me frymën e detyrës së tij funksionale si kryetar Parlamenti, pavarësisht se në Shqipëri këtë rol mund ta kishin luajtur dhe të tjerë si Rama apo dhe Idrizi. Rama (me kostum Kryeministri) ndryshe nga Meta, ndoshta nuk ka marrëdhëniet më të mira me Kryeministrin Mustafa, por ama ka marrëdhënie të mira me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, pavarësisht paparashikueshmërisë së kësaj force politike. Ndërsa Idrizi ka marrëdhënie të mira me Limajn, Thaçin, Haradinajn, me Kurtin, por nuk ngjan se ka histori marrëdhëniesh me Mustafën dhe LDK-në. Për të gjithë këto elementë diferencues, Meta ngjante personazh i përshtatshëm, e pse jo dhe më i motivuari në zbutjen e krizës së Kosovës.
Po çfarë arriti Meta?
Gjasat janë të mëdha që, sipas një fabule që përsëritet shpesh në politikën kosovare, partitë e Limajt dhe Haradinajt, jo thjesht prej vizitës së Metës, por dhe asaj të Kerrit, ta zbusin qëndrimin, duke e lënë vetëm në mes të rrugës Vetëvendosjen në qëndrimin e saj të palëkundur për tërheqjen imediate të marrëveshjeve. Ky skenar është i mundshëm, nëse në favor të tij punojnë dhe oferta të fshehta për Haradinajn në qeveri, pas zgjedhjes së Presidentit në shkurt 2016, apo ndonjë lëshim tjetër për Limaj. Ai nuk është i mundshëm nëse sipas skemave konspirative më kreative, mbrapa këmbënguljes së Limajt dhe Haradinajt nuk qëndron ndonjë vullnet i huaj për të rrëzuar qeverinë, por kjo nuk ngjan se ka shumë shanse.
Pavarësisht rezultatit të kësaj ndërmarrjeje të re të Metës, ajo shënon diçka: përfshirjen e Shqipërisë në rol konstruktiv dhe përpjekje për të rritur autoritetin në Kosovë. Kjo është diçka që nuk vlen vetëm për imazhin ndërkombëtar të saj. Shqipëria për këtë imazh, për interesin kombëtar në përgjithësi, ka detyrimin që të angazhohet në misione si ky, megjithëse ka pak çfarë të ofrojë në këmbim. Me këtë vetëdije, Meta i ka kryer gjithë takimet e veta politike duke përfshirë në to dhe ambasadorin Minxhozi, diçka që i jep një veshje shtetërore përfshirjes së tij në rolin negociator.
Shqipëria, parë kështu, është duke luajtur në këtë mision besueshmërinë e vet ndërkombëtare, ndaj “feudalët politikë” të Prishtinës duhet ta mbështesin misionin e ri ndërmjetësues të saj. Njëlloj mund të bëjnë apologjetët e kombit të ri kosovar që duan, megjithatë, dëshmi të aftësisë së Kosovës për të tretur krizat e brendshme. Në pamundësi, për shkak të mosbesimit, apo dëshirës për të mos i dhënë pikë të merituara dikujt jashtë forcave parlamentare, politika kosovare nuk i gjeti forcat për ta zgjidhur krizën nëpërmjet autoriteteve të veta brenda skenës vendore, diçka që do të ishte e mirëpritur. E në kushte të tilla, më mirë, më përfituese për të gjithë shqiptarët, është që ky ndërmjetës të vijë nga Shqipëria dhe jo nga ndonjë vend tjetër, çka që do t’i jepte karakter ndërkombëtar krizës kosovare. E kjo nuk është në interes të Kosovës dhe as të shqiptarëve.
Xheneta-Arionit: Të mëson Edi me qenë burrë
LVV i kërkon Përparim Ramës anulimin e tenderit për menaxhim...
Mbjellja e ullirit në Lushnjë, në 2024 u mbollën 9500 fidanë...
Në Barcelonë protestohet kundër rritjes së çmimeve të qirasë
Rama: Kemi larguar autolarjen duke eliminuar kështu pengesën...
Anisa: Driloni më ka treguar se me Sarën e ka pasur lojë