Google ADS

Ekuadori heq gjendjen e jashtëzakonshme

23:19 | 26 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Presidenti i Ekuadorit Guillermo Lasso hoqi gjendjen e jashtëzakonshme që ka qenë në fuqi që prej 18 qershorit në gjashtë qytete për shkak të protestave të vazhdueshme në gjithë vendin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vendimi u bë i ditur pas një takimi mes popujve indigjenë që vazhduan protestat dhe zyrtarëve të qeverisë.

Kryetari i Asamblesë Kombëtare Virgilio Saquicela deklaroi se mund të krijohet një komision dialogu midis indigjenëve dhe qeverisë për t’i dhënë fund grevës mbarëkombëtare.

5 të vdekur në protesta

Mijëra njerëz, kryesisht indigjenë, prej rreth dy javësh po zhvillojnë demonstrata me kërkesa për më shumë para për arsimin, uljen e çmimeve të karburanteve dhe kontrollin e çmimeve të produkteve bujqësore.

Sipas raportimeve, gjatë protestave kundër qeverisë Lasso kanë humbur jetën pesë protestues dhe janë plagosur mbi 200, prej të cilëve 18 rëndë.

Presidenti Lasso, nga ana tjetër, i vlerëson demonstratat si përpjekje për grusht shteti kundër qeverisë së tij.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme