Borell: Bisedimet bërthamore SHBA-Iran pritet të rifillojnë në ditët në vijim

23:36 | 25 Qershor 2022
E.H

Bisedimet indirekte mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 do të rifillojnë së shpejti, tha të shtunën ministri i jashtëm iranian mes një shtytjeje nga kryediplomati i Bashkimit Evropian për të zhbllokuar një ngërç disamujor në negociata.

“Ne jemi të përgatitur të rifillojmë bisedimet në ditët në vijim. Ajo që është e rëndësishme për Iranin është të marrë plotësisht përfitimet ekonomike të marrëveshjes së vitit 2015”, tha Ministri i Jashtëm iranian Hossein Amirabdollahian, duke shtuar se ai kishte mbajtur një “takim të gjatë, por pozitiv” me shefin e politikës së jashtëm të BE-së, Josep Borrell.

Në mars u duk sikur palët ishin afër pajtimit për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore pasi BE-ja, e cila po koordinon negociatat, ftoi në Vjenë ministrat e jashtëm për të finalizuar një marrëveshje pas 11 muajsh bisedimesh indirekte mes Teheranit dhe administratës së Presidentit Joe Biden.

Por, që nga ajo kohë bisedimet janë bllokuar, kryesisht për shkak të këmbënguljes së Teheranit që Uashingtoni të heqë nga lista e Organizatave së Huaja Terroriste, Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), forcën e saj elitare të sigurisë.

“Ne pritet të rifillojmë bisedimet në ditët në vijim dhe të zhbllokojmë ngërçin. Kanë kaluar tre muaj dhe ne duhet të intensifikojmë punën. Jam shumë i lumtur për vendimin që është marrë në Teheran dhe Uashington”, tha Borrell në një konferencë shtypi në Teheran.

Dy zyrtarë, një iranian dhe një evropian, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters përpara udhëtimit të Borrel se “dy çështje, përfshirë një mbi sanksionet mbetën për t’u zgjidhur”, komente që Ministria e Jashtme e Iranit nuk i ka konfirmuar ose mohuar.

“Ne ramë dakord për rifillimin e negociatave midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në ditët në vijim, të lehtësuara nga ekipi im, për të zgjidhur çështjet e fundit të pazgjidhura”, tha Borrell.

Në vitin 2018, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja, sipas së cilës, Irani kishte rënë dakord të frenonte programin e tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja dhe rivendosja e sanksioneve të rënda amerikane e shtynë Iranin që një vit më vonë të fillonte shkeljen e kufizimeve bërthamore.

Fuqitë perëndimore kanë frikë se Irani po i afrohet aftësisë për të prodhuar një bombë bërthamore, megjithëse Teherani thotë se qëllimet e tij janë tërësisht paqësore.

Ali Shamkhani, sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, i cili ka rolin e vendim-marrësit në bisedimet bërthamore, i tha zyrtarit të BE-së Joseph Borrel se Irani do të zhvillojë programin e tij bërthamor derisa Perëndimi të ndryshojë “sjelljen e paligjshme”.

“Veprimet hakmarrëse të Iranit në sektorin bërthamor janë thjesht përgjigje ligjore dhe racionale ndaj unilateralizmit të Shteteve të Bashkuara dhe mosveprimit evropian dhe do të vazhdojnë për sa kohë që praktikat ilegale të Perëndimit nuk ndryshojnë”, tha Shamkhani, pa dhënë detaje.

Megjithë mundësinë e rifillimit të shpejtë të bisedimeve, Borrell e minimizoi mundësinë e një marrëveshjeje të shpejtë.

“Unë nuk mund të parashikoj. Ne po bëjmë përpjekje në këtë drejtim. Unë vlerësoj vullnetin e mirë të palës iraniane dhe asaj amerikane”, tha shefi i BE-së për politikën e jashtme.

“Bisedimet mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian nuk do të zhvillohen në Vjenë, sepse ato nuk do të jenë në formatin 4+1. Ato ndoshta do të zhvillohen në një vend të Gjirit Persik”, citohet të ketë thënë Borell për mediat iranian.VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme