Google ADS

Sektori i shëndetësisë në Gjilan i neglizhuar e i harruar

20:03 | 25 Qershor 2022
E.H

Komisioni për Shëndetësi i Degës së LDK-së në Gjilan, ka mbajtur sot konferencë për medie në selinë e LDK-së, ku para qytetarëve kanë paraqitur shqetësimet dhe rekomandimet e tyre.

Anëtari i Kuvendit Komunal, Besim Guda, ngriti shqetësimin e vonesës së tejzgjatur të transferimit të mjekësisë familjare në ndërtesën e re.

Në emër të Komisionit, ai theksoi se ka neglizhencë dhe joprofesionalizëm në trajtimin e kësaj teme.

“Dinamizimi i procesit është jetik për këtë projekt”, tha Guda.

Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Shëndetësi, është vlerësuar, gjithashtu, se ka ngecje të mëdha në furnizimin me material sanitar në QKMF dhe QMF-të në Komunën e Gjilanit.

“Këto vonesa janë në proporcion të zhdrejtë me qëllimet bazike të ofrimit të shërbimeve cilësore dhe të sigurta shëndetësore” , shtoi ai.

Dr. Besim Guda theksoi se shqetësim të madh paraqet edhe mungesa e resurseve humane në mjekësinë primare.

“Janë 17 vende të lira pune të cilat janë krijuar pas pensionimit të profesionistëve shëndetësorë.

Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, kërkon të hapen sa më shpejtë konkurset gjegjëse, të përmbushet stafi i nevojshëm dhe të mundësohet funksionimi i duhur e kompetent i mjekësisë familjare në Gjilan” , ka shtuar anëtari i KK-së, Dr. Besim Guda.

Vlerësohet i vonuar kontakti i përgjegjësve me Caritasin për vazhdimin e kontratave të punës për mbi 70 punëtorë të cilët paguhen nga ky program.

“Heronjtë e gjallë” në luftën me pandeminë u harruan nga kjo qeverisje komunale. Shkëputja e kontratave të tyre, pa përfunduar ende pandemia nuk do duhej të ndodhte”, u shpreh ai.

“Dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi është dashur të fillojnë shumë më herët. Në vitet e kaluara, në këtë kohë, këto procese pothuajse kishin fundin e vet. Tani, këto procese as nuk kanë filluar dhe çdo vonesë do sjellë pasoja tek qytetarët tanë.”- tha Guda në përmbyllje të fjalës së tij para qytetarëve sot.

Lidhja Demokratike e Kosovës- Dega Gjilan, shpreh respektin dhe admirimin më të madh për punën e gjithë profesionistëve shëndetësorë dhe falenderon edhe njëherë të gjithë ata që u kujdesën për jetët tona duke rrezikuar dhe jetën e tyre.

Në komunikatën për media të LDK-së-Gjilan, thuhet se janë në situatë paradoksale me profesionistët shëndetësorë.

“Kemi profesionistë shëndetësorë të papunë, kërkojmë nga ta që mos ta lëshojnë Kosovën, e në anën tjetër nuk bëjmë asgjë për këtë kategori. Nuk kemi “sy e fytyrë” që të njejtit t’i lusim të qëndrojnë në vendin e tyre pa u siguruar një vend pune e një pagë minimale”./BS/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme