Forcat ukrainase janë urdhëruar të tërhiqen nga Severodonetsk, sipas zyrtarit të lartë rajonal.
Qyteti lindor ka duruar javë të tëra bombardimesh, ndërsa forcat ruse përpiqen të marrin kontrollin e plotë të rajonit, shkruan BBC, transmeton portal arbresh.info
Një tërheqje ukrainase do të ishte e rëndësishme sepse do të linte të gjithë Luhanskun nën kontrollin rus, me përjashtim të qytetit të Lysychansk.
Luhansk, një rajon kryesisht rusishtfolës në Ukrainën lindore, është një prioritet kyç për presidentin Vladimir Putin.
Së bashku me rajonin e Donetskut, ai përbën atë që kolektivisht njihet si Donbas – një zonë e madhe industriale e cila ka qenë fokusi i një lëvizjeje separatiste të mbështetur nga Rusia që nga viti 2014.
Presidenti rus pretendon në mënyrë të rreme se rusishtfolësit në Donbas kanë qenë viktima të gjenocidit, një justifikim të cilin ai e përdor për pushtimin në Ukrainë.
Nga ana tjetër, Ukraina akuzon Moskën për kryerjen e gjenocidit kundër popullit ukrainas me bombardimet dhe granatimet e saj pa dallim.
Ndërkohë, Rusia ka thënë se vendimi i liderëve të BE-së për të pranuar Ukrainën dhe Moldavinë si kandidatë për anëtarësim do të ketë pasoja negative.
Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse Maria Zakharova tha se BE-ja po sakrifikonte idealet e saj demokratike në kurriz të “zgjerimit të pakufizuar dhe skllavërisë politike dhe ekonomike të fqinjëve të saj”.
Severodonetsk ka qenë objektiv i granatimeve intensive ruse për disa javë dhe kohët e fundit ka pasur beteja të ashpra në rrugë, me forcat ukrainase të shtyra gradualisht në zonat industriale të qytetit.
Të gjitha urat për në qytet janë shkatërruar nga trupat ruse, pasi forcat ruse janë përpjekut që të shkëpusin atë nga territori i kontrolluar ukrainas.
Tërheqja e Ukrainës mund të jetë një përpjekje e fundit për të shmangur rrethimin nga të gjitha anët.
“Të qëndrosh në pozicione që janë granatuar pamëshirshëm për muaj të tërë thjesht nuk ka kuptim,” tha kreu rajonal i Luhansk, Serhiy Haidai për televizionin ukrainas.
E gjithë infrastruktura e qytetit është shkatërruar plotësisht, shtoi ai, me mbi 90% të shtëpive të granatuara dhe 80% të tyre të dëmtuara në mënyrë kritike.
Qindra civilë mendohet se kanë mbetur të izoluar në Severodonetsk, shumë prej të cilëve kanë kërkuar strehim në fabrikën kimike të Azot.
Para luftës, qyteti ishte shtëpi për rreth 100 mijë njerëz.
Forcat ruse kanë bërë përparime në zonat përreth Severodonetsk dhe Lysychansk ditët e fundit, me ministrinë e mbrojtjes të Ukrainës që i përshkruan vendbanimet në jug dhe juglindje të qyteteve si “sektori më i nxehtë i frontit”.
Por, Haidai tha se do të ishte “shumë e vështirë” për rusët të kapnin Lysychansk sepse qyteti, i cili ndodhet në një kodër, ka “pozicion mbrojtës”.
Forcat ukrainase rreth qyteteve Zolote dhe Hirske janë tashmë plotësisht të rrethuara, sipas ministrisë ruse të mbrojtjes.
Në një zhvillim tjetër të premten, një zyrtar i emëruar nga Rusia në qytetin jugor të pushtuar Kherson u vra në një shpërthim makine, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve.
Ukraina, forcat e së cilës kanë bërë përparime në zonë, nuk ka komentuar mbi këtë çështje.
Disa zyrtarë të instaluar nga Kremlini janë vënë në shënjestër kohët e fundit në rajonin Kherson, kontrolli mbi të cilin lejon Moska të ketë një korridor tokësor nga Rusia në Krime – gadishulli jugor i Ukrainës, të cilin Rusia e aneksoi në 2014./arbresh.info/
Mickoski: Është koha të flasim për ardhmërinë
Kurti për tunelin që do ta lidhë Prizrenin me Tetovën: Së sh...
Kurti: Me Maqedoninë e Veriut nuk kemi mosmarrëveshje
Baerbock: Vendimi i SHBA-së për armë me rreze të gjatë për U...
Mashtrimet me kriptovaluta/ Detaje të reja nga operacioni me...
Nënshkruhen marrëveshjet bilaterale mes Kosovës dhe Maqedoni...