Zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branislav Radoviq, ka dhënë më shumë detaje lidhur me shpërthimin që ka ndodhur te objekti i kompanisë “Elektrokosmet”.
“Rreth orës 22:45 ka ndodhur ndërprerja e plotë e rrymës dhe një shpërthim i fuqishëm. Gjatë asaj kohe ka ndodhur incidenti. Ekipet hetuese kanë arritur pas një gjysmë ore, bashkë me ekipin e deminimit, ekipi rajonal i hetimit dhe forenzikës, si edhe prokurori. Aty u konstatua se rasti ka ndodhur tek ndërtesa e Elektrodistribucionit, ku ishin parkuar disa makina dhe disa nga to u dëmtuan nga shpërthimi. Po ashtu është dëmtuar edhe kablloja e tensionit të lartë, andaj ka ndodhur ndërprerja e energjisë elektrike”, ka thënë Radoviq.
Ai për Klan Kosovën tha se nga ky shpërthim nuk ka persona të lënduar, por dëme të mëdha materiale.
“Nuk ka pasur as të lënduar. Dëmet janë ende duke u vlerësuar, por janë shumë të mëdha. Ka vetura të dëmtuara. Kablloja e dëmtuar. Ato tani i konstaton ekipi hetues”.
Radoviq ka thënë se një granatë dore është përdorur në këtë incident, derisa shton se nuk ka të dyshuar për rastin dhe se hetimet po vazhdojnë.
“Ekipi i specializuar i deminimit vërtetoi se bëhet fjalë për një granatë dore M-52 që është përdorur në incident. Meqenëse në vendin e ngjarjes ka munguar ndriçimi, prokurori ka urdhëruar që vendi i ngjarjes të shikohet edhe sot në mënyrë që të gjenden më shumë dëshmi për këtë vepër penale dhe autorët e saj. Hetimet po vazhdojnë edhe më tej. Nuk ka të dyshuar, meqë bëhet fjalë për persona ende të panjohur”, tha tutje Branislav Radoviq.
Në ndërkohë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka akuzuar strukturat paralele serbe për këtë veprim, siç ka thënë ai, për të bërë presion ndaj Republikës së Kosovës.
“Qëllimi është që të terrorizohen banorët atje, por edhe të ngjallin pasiguri për qytetarët e Kosovës”, tha Sveçla.
“Kjo është në vazhdën e presioneve që strukturat paralele dhe Serbia i bëjnë Republikës së Kosovës. Ne nuk bimë në këto presione. Unë jam i bindur se institucionet e sigurisë do ta hetojnë deri në detaje më të imta, dhe ata të cilët sjellin pasiguri duhet të paraqiten para ligjit”, tha në fund Xhelal Sveçla.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...