Shkupi i ktheu shpinën propozimit francez. Ai është i papranueshëm për vendin, bëri të ditur kryeministri Dimitar Kovaçevski, pasi e njoftoi presidencën franceze për vijat e kuqe të Shkupit.
“Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanci të fuqishme duhet të ketë nga BE dhe Bullgaria, që kjo e fundit nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kovaçevski vlerësoi se propozimi francez në formën siç është tani, është i papranueshëm për të si kryeministër, për presidentin e vendit si dhe për Maqedoninë e Veriut në tërësi.
“Bullgaria vendosi të kthehet në të kaluarën dhe të bllokojë procesin, gjë që nuk shpie askund. Ne si Maqedoni e Veriut kemi bërë shumë, tani radhën e ka Bashkimi Evropian”, tha Kovaçevski.
Nëse gjatë presidencës franceze ka mirëkuptim për kërkesat e Maqedonisë së Veriut, vendi është i gatshëm të vazhdojë procesin u shpreh kryeministri Kovaçevski.
Grubi: BE duhet të kalojë reformë të thellë pa asnjë vonesë
Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi e përkrah qëndrimin e Kryeministrit Kovaçevski në lidhje me dialogun bilateral me Bullgarinë dhe procesin eurointegrues.Sipas tij procesi integrues nuk duhet të bëhet peng i çështjeve bilaterale dhe të rrëmbehet nga mendësia e shekullit të XIX. Vendimmarja në Bashkimin Europian duhet të reformohet thellësisht pa asnjë vonesë.
“Ne nuk heqim dorë, sepse rrugë tjetër s’kemi, por as eksperiment në shekullin XXI nuk bëhemi”, thotë Grubi.
Osmani: Miratimi i rezolutës në Parlamentin bullgar e bllokon gjatë procesin evropian
Ministri i Punëve të Jashtme i MV, Bujar Osmani ka reaguar në lidhje me miratimin e propozimit francez në Parlamentin bullgar. Sipas Osmanit në rezolutën franceze u vendosën ndryshime pikërisht pikat më delikate të cilat nuk ishin definuar nga propozimi francez, marrë parasysh ndjeshmërinë.
“Dy fjalë qëndrojnë ndërmjet suksesit dhe mossuksesit të Bashkimit Evropian në rajon. Fjala “protokoll”, në kornizë, si paradigmë e çështjeve historike dhe fjala “hapje” në paragrafin gjashtë nga përfundimet e Këshillit. Që të dyja fjalët nuk janë në propozimin francez si vendime finale, por janë të vendosura si çështje për ta cilat nuk mund të arrihet pajtueshmëri për shkak pozicionit të Republikës së Bullgarisë. Miratimi…i rezolutës në Parlamentin bullgar, do të bllokojë procesin evropian në periudhë afatgjate”, ka deklaruar Osmani.
Partitë në pushtet kërcënojnë me prishjen e koalicionit
Deputeti Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike kërcënon se nëse Qeveria pranon propozimin francez, ai do të largohet nga shumica.
“Ne duhet të protestojmë që t’i tregojmë Evropës se këtu ka kundërshtime dhe qytetarët nuk pajtohen me këtë propozim”, tha Pavle Trajanov.
Me një veprim të tillë kanoset edhe Partia Liberal Demokrate e Goran Milevskit e cila ka marrë vendim që të largohet nga qeveria nëse pranohet propozimi francez.
“PLD-së e hodhi poshtë propozimin francez. Kërkojmë që ai t’i jepet për shqyrtim ministrave dhe deputetëve. Presim që të gjithë ta hedhin poshtë. Nëse pranohet propozimi francez në këtë version si është tani, PLD do ta largohet nga Qeveria”, tha Milevski.
Sela: Qeveria në kontestin me Bullgarinë ka pasur qasje të gabuar
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka thënë se nuk mund të flasë mbi propozimin francez për aq kohë sa nuk e ka parë në letër propozimin. Ai akuzoi Qeverinë se në raport me kontestin me Bullgarinë ka pasur qasje të gabuar.
“Qasja të cilën e ka pasur Qeveria në zgjidhjen e problemit me Bullgarinë ka qenë tërësisht e gabuar. Nuk mund të marrësh legjitimitet dhe të fshihesh pas komisionit historik. As nuk mund të pretendosh që çështjet bilaterale t’i zgjedhin shkencëtarët. Shkenca merret me fakte, ndërsa kompromisin e sjell politika”, ka deklaruar kryetari i ASH-së Ziadin Sela./DW
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit