Lirohet nga akuza për korrupsion inspektori i Pylltarisë në Kaçanik

12:01 | 24 Qershor 2022
arbresh.info

Ferizaj- Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj inspektorit të Pylltarisë në Kaçanik Feriz Deda, i cili akuzohej për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Feriz Deda u shpall të premten nga gjykatësja Kadrije Goga-Lubishtani, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas gjyqtares së çështjes, Goga-Lubishtani, nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale siç e ka ngarkuar kjo aktakuzë.

Ajo tha se palët do të pranojnë aktgjykimin në formën e shkruar ku kundër këtij aktgjykimi mund të bëhet ankesë në afatin prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Shpenzimet e procedurës bien në barrë të kësaj gjykate.

Sipas aktakuzës së ngritur më 3 korrik 2020, nga Prokuroria Themelore në Ferizajt, Feriz Deda akuzohej se më 23 prill 2020, në Kaçanik, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Pylltarisë në Komunën e Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete apo për personin tjetër, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, kishte tejkaluar kompetencat dhe me dashje e kishte shkelur ligjin lidhur me detyrat apo punësimin.

Aktakuza thotë që në ditën kritike, i kishte mundësuar personit Jeton Bruti që të tërheq kamionin dhe drunjtë e ngarkuara në të, të cilat iu kishin sekuestruar paraprakisht nga policia, duke urdhëruar rojën e autoparkut, Remzi Demën, që të njëjtit t’ia lirojë kamionin së bashku me drunjtë, pa i ofruar kurrfarë dokumentacioni dhe pa kurrfarë baze ligjore për lirimin e të njëjtave.

Për këtë, ai po akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nënparagrafin 3.1 të Kodit Penal.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme