BE: Reduktimet e furnizimit me gaz rus kanë prekur 12 vende

14:12 | 23 Qershor 2022
K.B

12 vende të Bashkimit Europian janë prekur nga reduktimet e furnizimit me gaz nga Rusia, tha të enjten shefi i politikës klimatike të BE-së, Frans Timmermans, sipas CNN.

“Rusia po përdor energjinë si armë dhe ne kemi parë ndërprerje të mëtejshme të gazit të paralajmëruara ditët e fundit. E gjithë kjo është pjesë e strategjisë së Rusisë për të minuar unitetin tonë,” tha Timmermans në Parlamentin Europian.

“Në total 12 shtete anëtare janë prekur tani nga reduktimet e njëanshme të furnizimit ruse. Dhjetë shtete anëtare kanë lëshuar një paralajmërim të hershëm sipas rregullores së sigurisë së furnizimit me gaz,” tha ai.

“Rreziku i ndërprerjes së plotë të gazit është tani më real se kurrë më parë,” theksoi ai, duke shtuar se kjo është arsyeja pse është i rëndësishëm miratimi i rregullores së ruajtjes së gazit së bashku me masat e tjera të gatishmërisë .

Dymbëdhjetë vendet e BE-së që janë prekur pjesërisht ose tërësisht nga ndërprerjet e gazit rus janë: Lituania, Bullgaria, Polonia, Gjermania, Finlanda, Danimarka, Holanda, Italia, Franca, Austria, Republika Çeke dhe Sllovakia.

Vendet e BE-së që kanë lëshuar deklarata paralajmëruese të hershme si masë paraprake janë: Italia (26/02), Letonia (09/03), Kroacia (25/04), Gjermania (30/03), Austria (30/03), Finlanda (06/05), Estonia (18/05), Danimarka (20/06), Holanda (20/06) dhe Suedia (21/06).

Gjermania sapo ka njoftuar dhe informuar Komisionin e BE-së, se po kalon në hapin 2 të rregullores së BE-së SoS, niveli i “gadishmërisë”, tha një zëdhënës i Komisionit të BE për CNN. /abcnews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme