Tërmeti në Afganistan: Talibanët bëjnë thirrje për ndihmë ndërkombëtare

23:41 | 22 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Talebanët në Afganistan kanë bërë thirrje për mbështetje ndërkombëtare, pasi vendi po përballet me pasojat e një tërmeti shkatërrues me magnitudë 6.1 ballë.

Më shumë se 1,000 njerëz kanë vdekur dhe të paktën 1,500 janë plagosur, tha një zyrtar lokal, transmeton portal arbresh.info

Provinca Paktika në juglindje ka qenë më e prekura. OKB-ja po përpiqet të sigurojë strehim urgjent dhe ndihmë ushqimore, megjithatë, ekipet e shpëtimit janë duke u penguar nga reshjet e dendura të shiut dhe të breshërit.

Tërmeti më vdekjeprurës që goditi vendin në dy dekada është një sfidë e madhe për talebanët, lëvizjen islamike e cila rifitoi pushtetin vitin e kaluar pas rënies së qeverisë së mbështetur nga perëndimi.

Tërmeti goditi rreth 44 km (27 milje) nga qyteti i Khost dhe lëkundjet u ndjenë deri në Pakistan dhe Indi. Dëshmitarët raportuan se e ndjenë tërmetin si në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, ashtu edhe në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.

“Qeveria fatkeqësisht është nën sanksione, kështu që është e paaftë financiarisht të ndihmojë njerëzit në masën që është e nevojshme,” tha Abdul Qahar Balkhi, një zyrtar i lartë taleban.

“Agjencitë ndërkombëtare të ndihmës po ndihmojnë, vendet fqinje, vendet e rajonit dhe vendet e botës kanë ofruar ndihmën e tyre, të cilën ne e vlerësojmë dhe e mirëpresim”, tha ai, ndërsa ka bërë thirrje që ndihmat të shtohen.

OKB-ja dhe agjencitë e ndihmës në Pakistanin fqinj po ndihmojnë me përpjekjet humanitare, e cila përfshin vendosjen e ekipeve mjekësore dhe sigurimin e furnizimeve mjekësore.

Afganistani është i prirur ndaj tërmeteve, pasi ndodhet në një rajon tektonikisht aktiv.

Gjatë dekadës së fundit më shumë se 7,000 njerëz janë vrarë nga tërmetet në vend, raporton Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare./bbc/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme