Google ADS

Ministri i Kulturës: Patëm presion, na u kërkua vendim i shpejtë për Sunny Hillin

00:10 | 15 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Pas zhvendosjes së festivalit Sunny Hill, ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar duke thënë se kanë patur presion dhe se iu kërkua vendim i shpejtë.

Çeku përmes një shkrimi në Facebook tha se as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër nuk ka të drejtë ta përdor territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat dhe kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë.

“Procesi i vendimmarrjes kërkon kohë për të qenë i plotë dhe për të mos qenë i gabuar apo abuziv. Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë ku t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për Sunny Hill, dhe pas një kohe të shkurtë të shfaqet njoftimi se organizimi paska ndryshuar vendndodhje”, shkroi ai.

Sipas tij, presioni nuk ka lënë kohë të mjaftueshme për t’u siguruar që vendimet institucionale do të ofrojnë mbrojtje të plotë të interesit publik, madje nuk lë kohë të shikohen as aspektet ligjore.

“Megjithatë, ne e sigurojmë publikun rinor se në Kosovë nuk do të mungojnë ngjarjet e përmasave të ndryshme, me artistë vendorë e ndërkombëtarë. Edhe Sunny Hill gjithnjë do ta ketë derën hapur, për diskutime të qeta, e për marrëveshje transparente dhe pa presion.

E presim sa më shpejt në Kosovën e saj edhe Dua Lipën me dashuri e respekt të madh. Ajo ka kontribuar si artiste e si shqiptare në imazhin tonë ndërkombëtar. Asnjëherë nuk do të lejojmë që figura e saj të keqpërdoret apo të zbehet nga debate të politikës apo biznesit”, shkroi Çeku.

Kujtojmë që Dukagjin Lipa njoftoi sot se zvarritja e Qeverisë në dhënien e lejeve ishte shkaktari kryesor për anulimin e festivalit, ndërsa tash ai do të zhvendoset në Tiranë. /gazetametro/

Të ngjashme