Ish-komandanti i UÇK-së e i TMK-së dhe ish-kryeministri Agim Çeku e ka vlerësuar si gabim të madh miratimin në Kuvend të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, pasi miratimi i këtij ligji i lë jashtë pagës minimale veteranët e UÇK-së.
“Këtë po e shoh si një gabim shumë të madh të Qeverisë. Një gabim i pakuptimtë, një arsyetim i pakuptimtë, një çështje e panevojshme dhe një injorim total i veteranëve të UÇK-së. Një ndarje jo vetëm e veteranëve nga pjesa tjetër e shoqërisë, por edhe një ndarje e shoqërisë. Uroj që ky gabim të përmirësohet sa më shpejt në leximin e dytë dhe të mos kalojë një gjë e tillë sepse vërtetë është gabim“, ka thënë Çeku.
Ai ka thënë se ndryshimi këtij ligji është gabim, sepse ekziston një ligj, sipas të cilit veteranët duhet të marrin së paku pagën minimale.
“E di që është problem për buxhetin dhe raporti me Fondin Ndërkombëtar, por çështjet duhet të zgjidhen në pako. Prandaj, mendoj se është një qasje e gabuar dhe u çudita shumë që deputetët lejuan që të jenë pjesë e këtij gabimi të madh. Paga e veteranëve është respekti i fundit, është çështje e detyrueshme. Më shumë më pengon mungesa e respektit, në përgjithësi, të vlerave të luftës, respekti për UÇK-në, përpjekja për ta relativizuar apo për ta kontestuar rolin historik të UÇK-së. Kjo është vetëm një goditje shtesë që i bëhet vazhdimisht UÇK-së“, ka thënë Çeku, për RTK.
Ai tutje ka thënë se si personalitet që ka qenë në detyra kryesore të institucioneve, qoftë si Komandant i TMK-së apo edhe si kryeministër e ministër, vazhdimisht është përballur me përpjekje të tilla për ta kontestuar rolin e UÇK-së.
“Në Kosovë ekziston një aleancë joformale që ta distancojë UÇK-në nga populli i Kosovës. Kryesisht nga faktorë vendor që janë vonuar për t’u kyçur në përpjekjet tona për liri e pavarësi. Kryesisht janë ata që nuk kanë besuar që ne mund të çlirohemi nga Serbia. Janë ata që janë ndje komodë në prehërin e Serbisë apo pushtetit serb, por ka edhe faktorë ndërkombëtar që faktorin UÇK e shohin si pengesë për stabilizim dhe pajtim me Serbinë apo për të akomoduar Serbinë në këtë pjesë të Ballkanit. Ata vazhdimisht kanë tentuar të na thonë lereni UÇK-në shikoni ka ardhmja”, është shprehur gjeneral Çeku.
Ai ka thënë se është fakt se jo të gjithë në Kosovë e kanë përkrahur UÇK-në dhe sipas tij të gjithë pas luftës e kanë kuptuar se nuk kanë pasur të drejtë. Ai ka thënë se roli i NATO-s ka qenë historik, por assesi nuk duhet të lejohet mohimi i rolit të UÇK-së në çlirimin e vendit.
“Është fakt se jo të gjithë e kanë përkrahur UÇK-në dhe tani për ta arsyetuar veten dhe fëmijët e tyre thonë se NATO na ka çliruar, UÇK-ja ka qenë pjesë e problemit. Është krim ta relativizosh dhe ta mohosh kontributin e UÇK-së, sepse 12 mijë vetë kanë rënë për këtë vend. Roli i NATO është historik por nëse nuk e kishin parë që e kemi përnjemend dhe të vendosur të luftojmë për vendin tonë nuk do të na kishin ndihmuar. NATO në ditët e para nuk i ka ndihmuar as Ukrainës, por i ndihmuan vetëm pasi e panë që ata janë të vendosur për të luftuar për vendin e tyre”, ka thënë Çeku.
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
Kurti dhe Peci në Gjakovë, përurojnë nisjen e punimeve të pr...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek