Erdogan: Turqia do të fillojë transferimin e gazit natyror nga Deti i Zi në vitin 2023

08:34 | 14 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka theksuar se Turqia do të fillojë të transferojë 10 milionë metra kub gaz natyror në ditë nga fusha e gazit Sakarya.

Prodhimi në fushën e gazit Sakarya “shpresojmë të arrijë kulmin e tij në vitin 2026”, tha Recep Tayyip Erdogan në një ngjarje që shënonte vendosjen e tubacionit të parë në det të hapur për të transportuar gaz natyror të Detit të Zi, shkruan Safak, transmeton portal arbresh.info

Transmetimi i parë i gazit është planifikuar të kryhet përmes një tubacioni nënujor 150 kilometra të gjatë që Turqia do të ndërtojë për të drejtuar nga fusha në tokë ku do të lidhet me rrjetin kombëtar të gazit.

Turqia e sheh energjinë si “çelësin e bashkëpunimit rajonal, dhe jo një zonë tensioni dhe konflikti”, tha Erdogan.

“Ne do të vazhdojmë luftën tonë në një mënyrë të shumëanshme derisa ta bëjmë Turqinë një vend që ka zgjidhur plotësisht problemin e sigurisë së furnizimit me energji,” shtoi ai.

Erdogan njoftoi gjithashtu se anija e katërt shpuese e Turqisë është quajtur sipas një sulltani të Perandorisë Osmane, Abdulhamid Han.

“Është gjithashtu e rëndësishme që ne të bëjmë një zbulim të tillë historik me burime krejtësisht të brendshme”, shtoi ai.

Turqia akutualisht ka tre anije shpuese, Fatih, Kanuni dhe Yavuz, që operojnë në Detin e Zi dhe Detin Mesdhe.

Deri më sot, shpimi ka nxjerrë 540 miliardë metra kub prodhim nga Deti i Zi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme