India dhe vendet e tjera aziatike po bëhen një burim gjithnjë e më jetik i të ardhurave nga nafta për Moskën, pavarësisht presionit të lartë nga SHBA për të mos rritur blerjet e tyre, pasi Bashkimi Evropian dhe aleatët e tjerë ndërprenë importet e energjisë nga Rusia në përputhje me sanksionet për luftën e saj kundër Ukrainës.
Shitje të tilla po rrisin të ardhurat ruse nga eksporti në një kohë kur Uashingtoni dhe aleatët e tij po përpiqen të kufizojnë flukset financiare që mbështesin përpjekjet e Moskës për luftë.
Sipas firmës Kpler të të dhënave, India, një vend i etur për naftë me 1.4 miliardë banorë, ka konsumuar deri më tani gati 60 milionë fuçi naftë ruse në gjatë këtij viti, krahasuar me 12 milionë fuçi gjatë gjithë vitit 2021. Dërgesat në vende të tjera aziatike, si Kina, janë rritur gjithashtu muajt e fundit, por në një masë më të vogël.
Në një intervistë me Associated Press, kryeministri i Sri Lankës tha se ai mund të detyrohet të blejë më shumë naftë nga Rusia, ndërsa kërkon me dëshpërim karburant për të mbajtur vendin në punë mes një krize të tmerrshme ekonomike.
Kryeministri Ranil Wickremesinghe tha të shtunën se fillimisht do të kërkonte për burime të tjera, por do të ishte i hapur për të blerë më shumë naftë të papërpunuar nga Moska. Në fund të majit, Sri Lanka bleu një ngarkesë prej 90,000 metra-tonë nafte të papërpunuar ruse për të rifilluar punën në rafinerinë e saj të vetme.
Që nga sulmi i Rusisë në fund të shkurtit, çmimet globale të naftës janë rritur. Moska po u ofron rafinerive në Indi dhe vende të tjera çmim me zbritje prej 30 deri në 35 dollarë, krahasuar me naftën bruto Brent dhe naftën tjetër ndërkombëtare që tani tregtohet me rreth 120 dollarë për fuçi.
Rëndësia e tyre si treg për Rusinë u rrit pasi Bashkimi Evropian prej 27 vendesh, tregu kryesor për lëndët djegëse që furnizon pjesën më të madhe të të ardhurave të huaja të Moskës, ra dakord të ndalonte shumicën e blerjeve të naftës deri në fund të këtij viti.
“Duket se një prirje e veçantë po rrënjoset tani,” thotë Matt Smith, analist kryesor në kompaninë Kpler që ndjek eksportet e naftës ruse. Ndërsa dërgesat e naftës ruse në pjesën më të madhe të Evropës janë shkurtuar, nafta e papërpunuar po shkon në Azi, ku India është bërë blerësi kryesor, e ndjekur nga Kina. Raportet e gjurmimit të anijeve tregojnë se Turqia është një tjetër destinacion i rëndësishëm.
“Njerëzit po kuptojnë se India është një qendër rafinimi, duke me një çmim kaq të lirë”, thotë zoti Smith.
Sipas Qendrës për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër, me qendër në Helsinki, rreth 30 cisterna ruse të ngarkuara me naftë u nisën drejt brigjeve indiane në mars, duke shkarkuar rreth 430,000 fuçi në ditë. Një mesatare prej vetëm 60,000 fuçi në ditë mbërriti në periudhën janar-mars.
Rafineritë shtetërore dhe të pavarura kineze gjithashtu kanë rritur blerjet. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në vitin 2021, Kina ishte blerësi më i madh i vetëm i naftës ruse, duke marrë mesatarisht 1.6 milionë fuçi në ditë.
Ndërsa importet e Indisë janë ende vetëm rreth një e katërta e atyre kineze, rritja e mprehtë që nga fillimi i luftës është një burim i mundshëm fërkimi midis Uashingtonit dhe Nju Delhit.
Shtetet e Bashkuara e kuptojnë nevojën e Indisë për energji të përballueshme, por “ne po kërkojmë që aleatët dhe partnerët tanë të mos rrisin blerjet e tyre të energjisë ruse”, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken pas një takimi të ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të SHBA-së dhe Indisë në prill.
Ndërkohë, SHBA dhe aleatët e saj evropianë janë të angazhuar në diskutime “jashtëzakonisht aktive” mbi masat koordinuese, ndoshta duke krijuar një kartel, në përpjekje për të vendosur një kufi çmimi për naftën ruse, tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen në një takim të Komisionit të Financave në Senat të martën.
Qëllimi do të ishte që nafta ruse të vazhdojë të rrjedhë në tregun global për të parandaluar që çmimet e naftës së papërpunuar, tashmë të rritura 60% këtë vit, të shkojnë akoma më lart, tha ajo.
“Absolutisht, objektivi është të kufizohen të ardhurat që shkojnë në Rusi,” tha zonja Yellen, duke treguar se strategjia e saktë nuk ishte vendosur ende.
Ndërsa Evropa mund të gjejë burime alternative për blerjet e saj të rreth 60% të eksporteve të papërpunuara të Rusisë, Moska gjithashtu ka opsione.
Ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, ka theksuar qëllimin e vendit të tij për të bërë atë që është në interesin e tij më të mire.
“Nëse India financon luftën duke blerë naftën ruse … më thoni, atëherë blerja e gazit rus nuk financon luftën? Le të jemi pak të barabartë,” tha ai në një forum të fundit në Sllovaki, duke iu referuar importeve të gazit rus nga Evropa.
Importet e naftës së papërpunuar të Indisë nga Rusia u rritën nga 100,000 fuçi në ditë në shkurt në 370,000 në ditë në prill në 870,000 fuçi në ditë në maj.
Një pjesë në rritje e këtyre dërgesave zhvendosi naftën nga Iraku dhe Arabia Saudite, shumica e të cilës shkonte në rafineritë në Sika dhe Jamnagar në bregun perëndimor të Indisë. Deri në prill, nafta ruse përbënte më pak se 5% të naftës së papërpunuar në rafinerinë e naftës Jamnagar të drejtuar nga Reliance Industries. Në maj, sipas Qendrës për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër, ajo përbënte më shumë se një të katërtën.
Eksportet e produkteve të naftës të Indisë si nafta dizel janë rritur në 685,000 fuçi në ditë nga 580,000 fuçi në ditë para sulmit të Ukrainës. Pjesa më e madhe e eksporteve të saj me naftë shitet në Azi, por rreth 20% u dërgua përmes Kanalit të Suezit, drejt Mesdheut ose Atlantikut, kryesisht në Evropë ose SHBA, tha Lauri Myllyvirta, një analist kryesor në firmën CREA.
Është e pamundur të përcaktohet sasia e saktë e naftës së papërpunuar ruse në produktet e rafinuara që dërgohen nga India, tha ai. Megjithatë, “India po ofron një dalje për naftën bruto ruse për të kaluar në treg”.
Importet e Kinës gjithashtu janë rritur më tej këtë vit, duke ndihmuar qeverinë e presidentit rus Vladimir Putin të regjistrojë një sufiçit të bilancit të tregtisë, prej 96 miliardë dollarësh për katër muajt që përfundojnë në prill.
Është e paqartë nëse eksporte të tilla mund t’u nënshtrohen sanksioneve që synojnë të shkurtojnë fluksin e parave në Rusi.
Sa i përket sanksioneve, “A janë ato masa efektive? Dhe nëse jo, si po funksionon tregu i naftës për t’i shmangur ato?” tha zoti Myllyvirta./VoA/
Ushqimet që kanë tendencën të shkaktojnë sëmundje
Driloni me pëlqim për Xhenetën?
Mevlani: Me Dianën nuk kishte asgjë serioze – po të isha beq...
Kurti: Shëndetësia publike po transformohet shpejt dhe rrënj...
Sulmet izraelite në Gaza, mbi 70 të vrarë gjatë orëve të fun...
“Vendimi pas dy javësh, nuk presim rezultat tjetër veç fitor...