Rrahmani pas humbjes: Jemi të zhgënjyer

23:43 | 12 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani, ka thënë se është i zhgënjyer pas humbjes prej 2:0 kundër Greqisë.

Rrahmani për Klan Kosova foli edhe për penalltinë e shkaktuar ndaj tij në minutën e 66-të.

Ai tha se kjo ishte penallti.

“Jemi të gjithë të zhgënjyer sepse u afruam, kishim vetëm tre pikë më pak dhe po ta fitonim këtë ndeshje do të ishim më pikë të barabarta. Nuk arritëm të fitojmë dhe normalisht zhgënjimi mbetet- tha Rrahmani.

“Unë isha shumë i sigurt që ishte penallti, sepse më mbajti me duar për dy sekonda ndoshta dhe unë isha në vrap dhe ajo normalisht është penallti. Sepse kam fituar penallti të tillë edhe më përpara, por ja që as nuk e shikuan”-theksoi ai.

Kapiteni i Kosovës foli edhe për tensionet gjatë ndeshjes.

Amir Rrahmani shtoi se ishte sharë nga trajneri i Greqisë Gustavo Poyet.

“Ne jemi profesionistë edhe nuk shikojmë jashtë çka ndodh. Ishte momenti që po hidheshin ato flakadanët. Ishte moment i rrezikshëm dhe që unë protestova shumë. Por, në fushë nuk ka ndikuar ajo sepse mendoj që mund të bënim më mirë”- tha kapiteni i Kosovës.

“Edhe gjyqtarit i thashë se ato flakadanët janë shumë të rrezikshme sepse janë 1 mijë gradë temperatura e tyre dhe nëse e prek ndonjërin në trup mund të jetë shumë e rrezikshme. Protestova mjaftueshme tek referi kryesor dhe tek referi i katërt dhe pastaj trajneri i tyre më shau. I thashë ti trajneri nuk mund ta shashë lojtarin ashtu por le të mbetet në ndërgjegjen e tyre”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme