Shtëpia e Xhafer Devës, midis historisë dhe trashëgimisë kulturore

10:06 | 12 Qershor 2022
A Z

Shtëpia e Xhafer Devës ishte një ndër shtëpitë më të rëndësishme dhe me më shumë funksione për qytetarët e Mitrovicës.

Kjo shtëpi është e ndërtuar në qendër të qytetit, gjegjësisht në bërthamën e vjetër të qytetit të Mitrovicës, dhe atë mu pranë objekteve dhe institucioneve qendrore të qytetit.

Shtëpia në fillim të ndërtimit kishte karakter banimi, e pas Luftës së Dytë Botërore, e tërë pasuria e Xhafer Devës ishte konfiskuar nga pushteti i kohës dhe kjo pronë kaloi në pronësi shoqërore. Pas konfiskimit, shtëpia shërbeu si ambulancë, e më vonë si strehimore për familjet e pastrehuara.

“Kjo shtëpi është ndërtuar në 1930 ndërsa në vitin 1945 është konfiskuar nga pushteti komunist pasi që Kosova shkëputet nga Shqipëria dhe i bashkohet Jugosllavisë bashkë me hotel Jadarinin pronë e Sharkoviqit i cili ka qenë një ndër krerët e lëvizjes qetnike, ku pastaj kjo shtëpi bëhet qendra regjionale për ushtrinë jugosllave”.

Xhafer Deva pronari i kësaj shtëpie  ka lindur në Mitrovicë ku më pas u bë një ndër personalitet e shquara të këtij rajoni, duke ndihmuar në vetëdijesimin e popullit shqiptar.

“Xhafer Deva ka lindur në Mitrovicë në 1904, shkollën e mesme e ka përfunduar në Selanik, dhe në Robert collage në Stamboll, me pas ka studiuar në Vjenë për inxhinieri ekonomike”.

“Më vonë para se Jugosllavia të pushtohej nga Gjermania ka ardhur në Mitrovicë dhe ka përgatitur popullatën, ku i ka arsimuar në shqip njerëzit sepse ka thënë që ne do ta bëjmë shtetin tonë dhe do të duhen njerëzit të punojnë nëpër zyre të cilët duhet të shkruajnë në shqip”.

Shtëpia e Xhafer Devës ka vlerë të jashtëzakonshme shoqërore, kulturore historike dhe arkitektonike për tërë rajonin. Për nga stili i ndërtimit, kjo shtëpi i përket arkitekturës moderne euro-perëndimore dhe shquhet me elemente të shumta dekoruese në eksterier.

E, pas luftës kjo shtëpi me iniciativën e Nexhmedin Spahiut është shpallur monument kulture dhe është nën mbrojtjen e Institutit për Trashëgimi Kulturore, dhe iniciativa për meremetimin e kësaj shtëpie ka filluar nga viti 2010, por nuk është përfunduar ende, duke mbetur ndërtimi i saj në gjysmë.

“Me iniciativën time kjo shtëpi është shpallur monument kulturor dhe është nën mbrojtjen e Institutit për Trashëgimi Kulturore, dhe iniciativa për meremetimin e kësaj shtëpie ka filluar nga viti 2010 dhe nuk është përfunduar ende, duke mbetur në gjysmë”.

Fatkeqësisht kjo shtëpi u dogj më 28 mars të vitit 2015, ndërsa tani kjo shtëpi është në mbrojtje nga Instituti për Trashëgimi Kulturore./Fjolla Bajraktari/arbresh.info/

Të ngjashme