Vërtetime të rreme për kurim në Itali, si funksiononte skema e trafikimit nga mjekët shqiptarë dhe italianë?

07:43 | 12 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Policia e Bergamos dhe Karabinierët e Milanos në bashkëpunim me Policinë shqiptare kryen masat e arrestit të dhëna nga Prokuroria ndaj një grupi kriminal të përbërë nga shtetas italianë dhe shqiptarë.

Ata ishin nën hetim, për shkaqe të ndryshme.

Kjo duke nisur që nga krimet e rënda me qëllim lehtësimin e emigracionit të paligjshëm, mashtrim ndaj Sistemit Kombëtar Shëndetësor, korrupsion, krime të falsifikimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogave (disa prej të cilave duhet të konsiderohen si narkotikë).

Në përfundim të operacionit, shtatë persona u arrestuan dhe tre të tjerë janë ende në kërkim.

Operacioni, i cili vjen pas hetimeve të koduara si “Exemptio” dhe “Turizëm Shëndetësor Ilegal” kishte nisur përkatësisht në vitin 2021.

Ai e ka origjinën nga hetimet e kryera, nën koordinimin e Zyrës së Prokurorit Publik të Bergamos, për ndihmë në imigracionin e paligjshëm, falsifikim dhe korrupsion.

Hetimi është unik në llojin e tij dhe ka lejuar rindërtimin e lidhjeve të forta kriminale që vepruan midis provincës së Milanos dhe Shqipërisë.

Ky grupim i cilësuar si “shoqatë” i përbërë nga mjekë italianë dhe shqiptarë, ishte i aftë për t’u ofruar qytetarëve shqiptarë një gamë heterogjene shërbimesh.

Kjo, duke nisur me qasjen në shërbime të shtrenjta shëndetësore, spitale private në Lombardi, e drejta për të hyrë në Itali me sa duket për arsye shëndetësore, edhe në periudhën në të cilën udhëtimet ishin të kufizuara për shkak të emergjencës pandemike.

Një treg i zi ishte krijuar edhe për barnat, të cilat, të marra nga shoqata në Itali eksportoheshin ilegalisht në Shqipëri dhe tregtoheshin po ilegalisht.

Disa prej shqiptarëve përfituan – pa pasur të drejtën dhe falë bashkëpunimit të mjekëve dhe infermierëve që shërbenin në strukturat spitalore të provincës së Milanos – trajtim të shtrenjtë mjekësor në kurriz të shërbimit shëndetësor, gjithsesi, i ofruar duke anashkaluar listat e gjata të pritjes.

Në vazhdën e aktivitetit kriminal është shfaqur një rrjet i përhapur korrupsioni i mjekëve dhe infermierëve që punojnë në spitalet publike dhe objektet shëndetësore parësore private sipas marrëveshjes.

Hetimi zbuloi mjekë të korruptuar, vërtetime të rreme, që shkruanin për nevojën e qytetarëve shqiptarë për shërbime shëndetësore urgjente në Itali.

Operacioni bëri të mundur edhe identifikimin e një shtetasi me origjinë shqiptare, i konsideruar si lidhja mes shoqatës kriminale dhe punonjësve të ndryshëm publikë.

Në veçanti, përmes pamjeve të kapura nga përgjimi në zyrën e një menaxheri të regjistrimeve në Shërbimin Shëndetësor Rajonal të Asst “Fatebenefratelli – Sacco” në Milano, u bë e mundur të rindërtoheshin jo vetëm donacionet e parave të gatshme, por edhe episode të mëtejshme – ku kërkoheshin favore seksuale në këmbim të vërtetimeve.

Shoqata mundi të prodhonte vërtetime për të lejuar hyrjen e shtetasve shqiptarë në territorin kombëtar, për qëllime mjekësore, trajtim, duke vërtetuar në mënyrë të rreme se përfituesi vuante nga një sëmundje për të cilën duhej të shkonte në territorin italian për trajtim mjekësor urgjent.

Nga hetimet u konstatua regjistrimi i parregullt në sistemin shëndetësor kombëtar italian i të paktën 82 shtetasve shqiptarë ndërmjet periudhës janar 2020-qershor 2021.

Këta pacientë kanë marrë të paktën 383 shërbime ambulatore dhe 1 mijë e 554 vizita të specializuara, qëndrime në spital dhe receta, në kundërshtim me ligjin.

Hetimi është ende në vazhdim dhe disa kërkime dhe marrje dokumentesh po kryhen në pjesë të ndryshme të Milanos./Albanian Post/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme