Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e krerëve të shteteve të Evropës Juglindore ka folur për rolin e Republikës së Kosovës në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon, rëndësinë e bashkëpunimit bazuar në parimin e barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe vendeve të tjera demokratike të rajonit.
Në fjalimin e saj gjatë Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), Presidentja Osmani ka nënvizuar përparimin e Kosovës në zbatimin e reformave që kanë fuqizuar cilësinë e demokracisë dhe sundimin e ligjit, shkruan arbresh.info.
Më pas Presidentja është ndalur edhe te agresioni ilegal dhe lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës dhe ka theksuar se e drejta e kombeve për të ekzistuar dhe për të qenë sovran ndodhet nën kërcënim.
“Përballë agresionit të Putinit kundër Ukrainës, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos i hapim dyert çfarëdo ndikimi keqdashës në rajonin tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke nënvizuar se shtetet e rajonit duhet të kenë qëndrim unik në ndalimin e tendencave të Rusisë për destabilizimin e rajonit dhe në miratimin e sanksioneve kundër Rusisë.
Më tej, Presidentja Osmani para krerëve të shteteve pjesëmarrëse ka përsëritur domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Qasja në institucionet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është mbi të gjitha në interes të qytetarëve të Kosovës, të të gjitha përkatësive etnike, fetare apo të tjera. T’i thuash jo anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, është t’i thuash jo të drejtave të njeriut për qytetarët tanë”, ka thënë Presidentja Osmani. Në këtë kuadër, ajo ka përmendur përjashtimin e padrejtë të Kosovës nga procesi i liberalizimit të vizave.
“Disa nga mendjet tona më të ndritura, nga studentët e deri te doktorantët, studiuesit apo gazetarët hulumtues, humbasin ditën e tyre të orientimit, ditën e diplomimit, mbrojtjen e doktoratës ose një ngjarje me rëndësi profesionale për shkak të mungesës së vizës, për shkak të ngarkesës së ambasadave ose për shkak të mungesës së mundësisë për të rezervuar termin për aplikim për vizë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke e cilësuar këtë si një padrejtësi për popullin e Kosovës dhe duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që urgjentisht të liberalizojë vizat për vendin tonë.
Në darkën e përbashkët me kancelarin Scholz, Presidentja Osmani e falënderoi Kancelarin për mbështetjen e madhe të Gjermanisë si dhe qëndrimet e qarta të qeverisë së tij për të ardhmen euro-atlantike të vendit tonë. Në anën tjetër, kancelari Scholz potencoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe fuqizimin e Procesit të Berlinit.
Gjatë Samitit të vendeve të Evropës Juglindore, Presidentja Osmani ka realizuar takime me presidentin e Sllovenisë Borut Pahor dhe kryeministrin e Kroacisë Andrej Plenković. Presidentja Osmani ka falënderuar Slloveninë dhe Kroacinë për mbështetjen e dhënë për integrimin euro-atlantik të Kosovës, ndërkaq ka diskutuar për përkrahjen e këtyre shteteve në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.
Përgjatë samitit, Presidentja Osmani po ashtu bashkëbisedoi me kryetarin e Këshillit të BE-së Charles Michel, kryesuesin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës Šefik Džaferović, kryeministrin e Maqedonisë se Veriut Dimitar Kovačevski dhe kryeministren e Moldavisë Natalia Gavrilița.
Në këto takime, Presidentja Osmani theksoi nevojën për përshpejtimin e integrimit të shteteve të rajonit në institucionet euro-atlantike dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët./arbresh.info/
Hamza takohet me Xhakën, e quan kampion dhe shembull për të ...
Prishtina dhe Ballkani ndajnë pikët në kryederbin e fundjavë...
Ky është 25-vjeçar që vdiq tragjikisht në vendin e punës në ...
Nesër fillon Fushata Globale “16 Ditët e Aktivizmit Ku...
Dafina Zeqiri sjell këngën e re “Tranquilo”
Vazhdon përplasja me Xuxin, rikthehet historia e prindërve t...