DW: Scholz zemëroi Serbinë me deklaratat për njohje të Kosovës

07:51 | 11 Qershor 2022
Fjolla Bajraktari

Kancelari Scholz kërkoi në Beograd vazhdimin e reformave, njohjen receproke mes Kosovës dhe Serbisë dhe saksione ndaj Rusisë.

Pas deklaratave në Prishtinë se procesi i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE është shumë i rëndësishëm, kancelari gjerman Olaf Scholz sqaroi në Beograd se për këtë nevojiten reforma të mëtejshme në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kancelari tha se konkretisht bëhet fjalë për garantimin e sundimit të ligjit dhe lirisë së medias si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Scholz e vlerësoi reformën gjyqësore në Serbi duke shtuar në të njëjtën kohë se tani duhet të pasojnë hapa të mëtejshëm.

Zemërim në Beograd lidhur me deklaratat për Kosovën

Gjatë vizitës së tij në Prishtinë Scholz-i ishte shprehur edhe për përpjekjet e Kosovës dhe të Serbisë për anëtarësim në BE. “Marrëveshja duhet të qartësojë përfundimisht edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që reciprokisht nuk e njohin njëri-tjerin, të bëhen anëtarë të BE-së”. Kjo deklaratë për njohjen e Kosovës shkaktoi zemërim në Beograd.

Pas takimit me Scholz-in presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se ai po “dëgjon për herë të parë sot se nga BE-ja kërkohet njohje reciproke” duke shtuar se “ne nuk reagojmë ndaj presionit, pra që dikush na kërcënon dhe ne më pas duhet të bëjmë diçka.”

Scholz-i reagoi me qetësi ndaj zemërimit të Vuçiqit në konferencën e përbashkët për shtyp duke thënë se “tha diçka që është e qartë dhe se ndoshta kjo do të ndihmojë.”

Kancelari theksoi edhe një herë se synimi i tij është që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE “jo në një të ardhme shumë të largët, por sa më shpejt të jetë e mundur.”

Kritikë ndaj qëndrimit të Serbisë ndaj Rusisë

Që para vizitës në Beograd Scholz-i i kishte sugjeruar Serbisë të ndryshonte kursin e saj në politikën ndaj Rusisë. Kushdo që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian duhet t’i pranojë të gjitha direktivat dhe rregullat e lidhura me të. Sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Rusisë janë një prej tyre. Në Bograd Scholz-i deklaroi: “Ne presim që sanksionet të zbatohen edhe nga ato vende që janë të përfshira në procesin e anëtarësimit në BE”.

Vuçiq tha se Beogradi e kishte dënuar sulmin e Rusisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe organe të tjera, por se vendi i tij ka një qëndrim të ndryshëm ndaj sanksioneve, sepse Serbia gjendet në një “situatë shumë të komplikuar” kur është fjala për furnizimin me energji.

Kancelari Olaf Scholz e vazhdon nesër turin e tij në Ballkan me vizita në Maqedoninë e Veriut dhe Bullgari. /DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme