Google ADS

Udhëheqësi i kishës meksikane burgoset për abuzim seksual me fëmijë

08:45 | 9 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Nasson Joaquin Garcia, udhëheqësi i megakishës La Luz del Mundo, është dënuar në një gjykatë në Los Anxhelos me 16 vjet e tetë muaj burg.

Garcia (53), u deklarua fajtor javën e kaluar për tre akuza për abuzim seksual me vajza nga kongregacioni i tij, shkruan BBC, transmeton portal arbresh.info

Marrëveshja e tij për pranimin e fajësisë do të thotë se dënimi i tij është dukshëm më i shkurtër se burgimi i përjetshëm me të cilin mund të përballej nëse do të ishte shpallur fajtor në një gjyq.

Për ndjekësit e tij, ai njihej si “Apostuli”.

Një organizatë fondamentaliste e krishterë, La Luz del Mundo (që do të thotë Drita e Botës në spanjisht) u themelua në Meksikë në 1926 nga gjyshi i Garcias, Eusebio Joaquín González.

Ndikimi i kishës është përhapur vitet e fundit dhe është i fortë në pjesë të Kalifornisë që kanë popullsi të mëdha hispanike, të cilat Garcia i vizitonte shpesh.

Ai u arrestua në aeroportin e Los Anxhelosit në vitin 2019 së bashku me dy nga ndjekësit e tij femra teksa mbërritën me avion privat.

Kisha thotë se ka pagëzuar më shumë se pesë milionë njerëz në mbarë botën, por numri i ndjekësve të saj të verifikuar në mënyrë të pavarur është i vështirë për t’u gjetur.

Garcia është përballur me 19 akuza dhe ai u deklarua fajtor për dy akuza që lidhen me abuzime seksuale. Sipas gjykatës ai ka detyruar në mënyrë të dhunshme disa të mitura të kryenin marrëdhënie intime orale me të.

Kisha që e drejtonte ai ende nuk ka dhënë asnjë koment./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme