Google ADS

Kusari-Lila: 170 euro janë tepër pak për një veteran, duhet reformim i skemës pensionale

23:17 | 8 Qershor 2022
L G

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka folur rreth debatit që po bëhet për futjen e veteranëve në pagën minimale.

Kusari-Lila tha se shpreh keqardhje për mënyrën se si, sipas saj, u bë përpjekje që të krijohet jostabilitet apo situatë që të krijohet panik në lidhje me këtë.

Ajo akuzoi Lidhjen Demokratike të Kosovës e Partinë Demokratike të Kosovës se më 2016 është hequr neni që e bën ndërlidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranit.

“Ajo si lidhshmëri në raport me një skemë pensionale është shkëputur. Tash, sot mund të bëjmë vlerësime të ndryshme se si mund të reformohet skema pensionale, përfshirë edhe veteranët”, është shprehur Kusari-Lila në Klan Kosova.

Shefja e grupit të deputetëve të VV-së tha se reformimi ka shumë nevojë të bëhet dhe vlerësoi se pensioni prej 170 euro është tepër pak e i padinjitetshëm për veteranët, teksa shtoi se ka pasur edhe shumë abuzime me listat e veteranëve.

“Sot ka ende vazhdimisht diskutime me procesin e listave të veteranëve, por duhet të bëhet pastrimi i listave e edhe verifikimi”, ka thënë Kusari-Lila.

“Në kuvend dy herë është rrëzuar një marrëveshje që bazë e ka analizën e sistemit pensional në Kosovë dhe asistencën financiare në të”.

“Ne besojmë se veteranët meritojnë shumë më shumë, por paga minimale përcakton minimumin e një pagese të dikujt që punon në tregun e punës. Pensioni i veteranit është pjesë e skemës pensionale dhe duhet të ketë një trajtim të veçantë”, është shprehur Kusari-Lila

Të ngjashme