Investitorët e huaj kërkojnë nga Qeveria e Kosovës më shumë siguri ligjore

14:21 | 2 Prill 2015
Arbresh.info

Problemet kryesore me të cilat ballafaqohen bizneset e Kosovës gjatë operimit të tyre janë ligjshmëria, mbrojtja e investimeve dhe lufta e vendosur për çrrënjosjen e korrupsionit.

Ky është rezultati i  anketës “Zëri i biznesit Austriak në Kosovë” të realizuar nga kompanitë austriake e që është prezantuar sot në Odën Ekonomike të Kosovës.

Me këtë rast, Atasheu Tregtar ne Ambasadën e Austrisë në Shkup i cili mbulon edhe pjesën ekonomike të Ambasadës së Austrisë në Kosovë, GerhardSchloattl, tha se rezultatet e anketës japin një pasqyrë të qartë të problemeve me te cilat ballafaqohen kompanitë nga ky vend, të cilat kryesisht operojnë në lëmin e shërbimeve dhe tregtisë.

Gjysma e të anketuarve e vlerësojnë situatën aktuale ekonomike në Kosovë si jo të mirë. Gati dy e treta e tyre pret të ketë përmirësim në vitin 2015. 42 për qind të të anketuarve presin të ardhura më të larta për kompanitë e veta, ndërsa 57 % planifikojnë të bëjnë më shumë investime dhe të punësojnë me shumë njerëz.

Në anketë është vlerësuar mesatar aktiviteti i Kosovës në thithjen e investimeve të huaja, ndërsa një e treta e të anketuarve e konsiderojnë Kosovën si jo atraktive.

“Si prioritete për punën e tyre të suksesshme në Kosovë ata konsiderojnë luftën kundër korrupsionit, pagesat e drejta dhe kualitetin e punëtorëve.

Firmat austriake janë relativisht te kënaqura me procesin e marrjes se lejeve, fleksibilitetin e Ligjit te Punës, me Doganën, Administratën Tatimore dhe me kualitetin e furnitorëve lokal.

Situatën e mirë ekonomike në Kosovë e vlerësojnë 8 për qind, të kënaqshme 25 për qind, jo të mirë 50 për qind dhe të keqe 17 për qind. Asnjë nga të anketuarit nuk e ka vlerësuar situatën si shumë të mirë.

Edhe prognozat e tyre për situatën e ardhshme ekonomike në Kosovë janë – e njëjtët me vitin 2014 -58 për qind, më e mirë se në vitin 2014 – 22 për qind, me keq se në vitin 2014 – 17 për qind dhe vetëm 3% konsiderojnë se situata do të jetë shumë më e mirë se sa ishte në vitin e kaluar”, thuhet në një komunikatë të OEK-ut.

Anketa tregon se krahasuar me vitin 2013, në vitin 2014 nuk ka pas ndryshime të rëndësishme në të mirë por as rënje drastike sa i përket të ardhurave të kompanive austriake të cilat operojnë në Kosovë, numrit të punonjësve dhe investimeve.

Duke iu përgjigjur pyetjes se sa tërheqëse e vlerësojnë Kosovën për investitorë të jashtëm anketa tregon se 3 për qind e vlerësojnë si tepër të mirë, 17 % si shumë të mirë, 36 për qind si mesatarisht të mirë, 28 % pak të  mirë dhe 17 % aspak të mirë.

Ndërkaq duke folur për kërkesat që i kanë ndaj Qeverisë se re me kryeministër Isa Mustafa, 80 për qind kërkojnë siguri ligjore dhe mbrojtje të investimeve, 74 për qind luftë kundër korrupsionit, 60 për qind stabilitet politik, 51 për qind ligje të thjeshta dhe transparente tatimore, 49 për qind reduktimin e burokracisë, 46 për qind angazhim më të madh për përafrim me BE dhe gjithashtu edhe qasje në financimet me kushte të favorshme.

Kryetari i OEK-ut SafetGërxhaliu në fund të prezantimit tha se këto janë brenga jo vetëm të bizneseve të Austrisë por edhe të bizneseve tjera të vendeve të BE-së dhe theksoi se prioriteti numër një duhet të jetë ligjshmëria, pasi që pa të nuk mund të ketë investime të huaja por as zhvillim ekonomik./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme