Memli Krasniqi: Pushteti i “veteranit” të rrejshëm të Albin Kurtit, sot tregoi fytyrën e vërtetë

15:00 | 6 Qershor 2022
K.B

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me trajtimin e veteranëve në protestën e sotme dhe votimin pro Ligjit diskriminues për përcaktimin e pagës minimale.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi është shprehur se pushteti i Vetëvendosjes i udhëhequr nga “veterani” i rrejshëm Albin Kurti, sot tregoi fytyrën e vërtetë me përbuzjen publike që u bëri luftëtarëve të lirisë.

“Ngjarjet e sotme në Kuvendin e Kosovës dhe trajtimi i padinjiteshëm i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga pushteti i Albin Kurtit, ishin pamje që asnjë qytetar i Kosovës nuk do të donte e as nuk do të duhej t’i përjetonte. Kjo fyerje e ky diskriminim ndaj veteranëve të vërtetë, edhe përmes iniciativa ligjore, ku kryeministri i Kosovës i trajton luftëtarët e lirisë – kategorinë më meritore për lirinë tonë – si qytetarë të rendit të dytë, është i papranueshëm dhe i pafalshëm”, shkruan kreu i PDK-së.

Krasniqi thekson se Albin Kurti dhe shërbëtorët e tij të verbër duhet ta dijnë që mbi guximin dhe sakrificën e këtyre veteranëve, Kosova është bërë shtet dhe ka krijuar institucionet, në të cilat ata sot janë strukur e po orkestrojnë politika diskriminuese ndaj tyre.

“Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës, me çdo mjet demokratik do të mbështesë të drejtat e veteranëve dhe nuk do të lejojë përbuzjen e çlirimtarëve tanë në këtë mënyrë”, zotohet Krasniqi. /arbresh.info/

Të ngjashme