Google ADS

Mijëra fëmijë marrin shërbime në Spitalin e ri të Pediatrisë

08:24 | 5 Qershor 2022
A Z

Klinika e Pediatrisë përveç shërbimeve që ofron si klinikë e fëmijëve, gjatë kohës së pandemisë  shumë pacientë u shtruan edhe në këtë klinikë.

Gjatë vitit që lamë pas në repartin e Hematologjisë në QKUK, janë trajtuar 56 fëmijë që vuanin nga leukemia akute.

Gjatë muajit mars u funksionalizua Spitali i Pediatrisë, ky spital është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

E çfarë shërbime kanë mundur të kryejnë dhe sa fëmijë kanë mundur që të marrin shërbime në spitalin e ri që nga muaji mars, flet drejtoresha e këtij spitali Violeta Grajçevci- Uka.

Ajo për arbresh.info tha se shërbimet në Klinikën e Pediatrisë janë sa i përket reparteve të cilat janë transferuar këtu. Është spitali i kujdesit intensiv i cili ka kapacitet diku me 12 shtretër dhe mbulon përafërsisht rastet me probleme më të rënda.

“Gjithashtu është edhe emergjenca pediatrike që është 24 orë dhe çdo ditë, ku mbi 100 raste trajtohen aty, kryesisht rastet ambulancore. Reparti i hematologjisë i cili aktualisht ka 19 shtretër dhe funksionon në rastet hematologjike  dhe onkologjike. Edhe ambulanca specialistike në të cilën kryhen vizitat specialistike, ato të planifikuarat kryhen çdo ditë në orarin e plotë. Zakonisht edhe aty çdo ditë kryhen mbi 100 vizita”, deklaroi Drejtoresha.

Sa i përket asaj se sa fëmijë kanë arritur që të marrin shërbime, Grajçevci- Uka u shpreh se mbi 200 fëmijë në ditë marrin shërbimet në spital, që kalojnë nga emergjenca pediatrike, e pastaj  në ambulancën specialistike.

“Varet edhe nga rastet si trajtohen ose si duhet të trajtohen, disa lirohen menjëherë,  disa janë me ditë të caktuara që do të thotë se rastet janë variabile”, tha Grajçevci-Uka.

Ajo tha se ka raste që në repartin e onkologjisë që pacienti të rrijë deri në dy muaj, ka raste kur pacienti lirohet brenda pesë ditëve, ose një jave.

Mbi mijëra pacientë kanë kryer trajtim deri më sot në spitalin e ri të pediatrisë, shtoi ajo./Kujtesa Berisha/arbresh.info/

Të ngjashme