Meta “liron” Bajram Begajn, ish-Gjenerali drejt Presidencës

15:40 | 4 Qershor 2022
L G

Presidenti Ilir Meta i ka hapur rrugën Bajram Begajt drejt detyës së kreut të shtetit.

Ilir Meta firmosi LIVE nga Stambolli dekretin për lirimin nga detyra e ushtarakut të Bajram Begajt duke i hapur kështu rrugën drejt votimit pasditen e sotme në Parlament si President i Republikës së Shqipërisë.

Ngërçi vijonte që prej mëngjesit të sotëm, pasi Meta ndodhej jashtë shtetit. Më herët Presidenti tha se do të respektonte çdo vendim të Kuvendit me vote.

Pse kishte rendësi firma e Metës?

Bajram Begaj është ushtarak dhe ligji ia ndalon atij çdo angazhim tjetër përveç detyrës që ushtarakut. Rrjedhimisht, për të shkuar në Parlament që të votohet si President, Begajt i duhet të heqë dorë nga detyra si ushtarak. Ai e ka bërë këtë duke dhënë dorëheqjen te ministri i Mbrojtjes, por duhej që të lirohej nga detyra edhe nga Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, që është Ilir Meta.

Meta la të kuptohej se nuk do të pengonte Begajn për ta zëvendësuar atë.

Çfarë ndodh tani?

Pas dorëzimit të dorëheqjes te ministri i Mbrojtjes, Bajram Begajt i duhej edhe “leja” e Ilir Metës për t’u bërë President. Tashmë ai e ka rrugën e hapur që të votohet pasditen e sotme në Kuvend. Pritet që seanca të fillojë në orën 18:00 dhe më pas të votohet fshehurazi për emrin e Presidentit.

Votat

Kushtetuta përcakton se në raundin e katërt dhe të pestë Presidenti mund të zgjidhet edhe me 71 vota. E majta ka më shumë se 71 vota në Kuvend, por sfida mbetet te numri që do të marrë Bajram Begaj.

Ashtu siç kanë njoftuar dje, grupi i Berishës do të jenë sot në seancë plenare për të votuar kundër, ndërkohë që Grupi Parlamentar i PD-së do ta bojkotojë seancën.

Sfida e Ramës tashmë nuk është zgjedhja e Bajram Begaj në krye të shtetit në raundin e katërt, kur duhen vetëm 71 vota, por numri i votave pro që ai do të marrë. Nëse të gjithë mbështetësit e Berishës që do të jenë në sallë do të votojë kundër, atëherë maxhoranca ka në dispozicion një “thes” prej 74 votash socialiste dhe 3 të PSD-së duke e çuar numrin total në 77 vota potenciale që duhet të marrë Bajram Begaj, raporton abcneës.al.

Rama bëri një paralajmërim sot në Grupin Parlamentar duke thënë se kandidatura e Begajt ishte konsensuale dhe se nuk kishte nevojë të kërkonte mbështetjen e deputetëve për të, gjë e cila do të vijë sipas tij, ndërkohë që arsyetoi edhe përjashtimin e emrave të tjerë si Fatos Nano, Gramoz Ruçi, etj.

Madje Rama shkoi edhe më tej duke përmendur “edhe ndonjë deputet apo deputete që nuk mori pjesë në procesin e propozimeve me zarfe..”. Nuk dihet se kujt iu drejtua Rama me këtë togfjalësh, por duket se paralajmërimi i tij vjen në një moment kur duket se brenda Grupit Parlamentar ka ndonjë rezistencë të vogël ndaj zhvillimeve aktuale, që mund të bëjë të rrjedhë ndonjë votë duke qenë se votimi është i fshehtë. /abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme