Frontex: Më shumë ukrainas po kthehen në vend sesa po largohen

09:11 | 4 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, 5.3 milionë refugjatë kanë ikur në vendet e Bashkimit Europian, por, sipas Frontex, më shumë ukrainas janë kthyer në vend në javët e fundit sesa janë larguar.

Agjencia Europiane për Rojet Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, ka njoftuar se nga se nga 25 deri më 31 maj, pothuajse 260,000 refugjatë ukrainas u larguan nga BE dhe 220,000 hynë, transmeton portal arbresh.info

Një total prej 2.3 milionë ukrainas janë kthyer në vend që nga fillimi i luftës në shkurt.

Gjithsej shtatë milionë persona të zhvendosur erdhën në vendet e BE-së, përfshirë ata që nuk janë shtetas të Ukrainës.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, numri i personave të zhvendosur brenda vendit në Ukrainë u ul për herë të parë më 23 maj dhe tani numri i tyre vlerësohet në 7.1 milionë, që është 11 për qind më pak se në 3 maj.

Numri më i madh i refugjatëve vazhdon të jetë në Poloni dhe Rumani. Në javën e fundit të majit, 147,000 ukrainas shkuan në Poloni dhe 32,800 në Rumani.

Frontex tha se situata në kufij është e qëndrueshme dhe ka vendosur 477 oficerë përgjatë kufirit tokësor lindor të BE-së, duke përfshirë 340 në vendet në kufi me Ukrainën.

Sipas agjencisë europiane të statistikave Eurostat për muajin mars, numri më i madh i refugjatëve nga Ukraina ka marrë mbrojtje të përkohshme në Poloni (675,085), ndjekur nga Republika Çeke (244,650) dhe Sllovakia (58,750).

Shumica dërrmuese e njerëzve që morën mbrojtje të përkohshme janë ukrainas, por kishte edhe qytetarë të vendeve të tjera, për shembull, në Poloni, 575 rusë dhe 325 bjellorusë morën një status të tillë.

Në prill, numri i ukrainasve që marrën mbrojtje të përkohshme u rrit në nëntë vende të BE-së në krahasim me marsin, kryesisht në Bullgari (me 31,000 më shumë) dhe Lituani (22,000 më shumë) dhe ra në shtatë anëtarë.

Më shumë se gjysma e ukrainasve që kërkonin mbrojtje të përkohshme në Poloni ishin fëmijë. Në Republikën Çeke, pothuajse 97,000 refugjatë nën moshën 18 vjeç morën mbrojtje, ose rreth 40 për qind e të gjithë refugjatëve, dhe në Sllovaki më shumë se 24,000.

Në të gjitha vendet për të cilat disponohen të dhëna për muajin mars, fëmijët nën moshën 14 vjeç përbënin dy të tretat e të gjithë fëmijëve që morën mbrojtje të përkohshme.

Eurostat deklaron gjithashtu se dy të tretat ose më shumë e refugjatëve ukrainas që morën mbrojtje ishin gra, përfshirë vajza.

Shumica e tyre ishin në Poloni (447,000, ose 66 përqind e ukrainasve), e ndjekur nga Republika Çeke (163,000 / 67 përqind) dhe Sllovakia (41,000 / 70 përqind).

Shumica e burrave që morën mbrojtje të përkohshme ishin djem nën moshën 18 vjeç./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme