Anëtarësimi në KiE| Si mund ta presë komisioni vlerësues çështjen e Manastirit të Deçanit?

08:10 | 4 Qershor 2022
L G

Mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, mund t’i paraqesë problem, Republikës së Kosovës, në anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kështu po vlerëson politologu, Behlul Beqaj, duke shtuar se ky është njëri nga problemet, por nuk është problemi kryesor.

“Por Strasburgu, kryesisht merret me çështjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, dhe ne po përcjellim mesazh që ne nuk e respektojmë as Kushtetutën, dhe kjo mundet me qenë njëra nga pengesat” tha profesori Beqaj për arbresh.info.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se janë disa proceduara paraprake që ndiqen, dhe ato nuk janë në favor të Kosovës.

“Mundet me qenë pengesë ngase nga momenti që një shtet aplikon për tu bërë pjesë e Këshillit të Evropës formohet një komision nga asambleja, i cili pastaj del në teren dhe e vërteton nëse janë plotësuar apo jo, kriteret e kërkuara për të hyrë në rend të ditës”, tha për arbresh.info Shala.

Ndonëse sipas Shalas, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim nga presioni politik, nëse vlerësohet që dikush është mbi ligjin në vend, atëherë është problem për anëtarësim.

Ai theksoi për këtë çështje po bëhet presion i padrejtë në vazhdimësi nga ndërkombëtarët, shkruan arbresh.info.

Ndryshe krerët e misioneve të vendeve më të industrializuara, QUINT, për të disatën herë i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që ta zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’i kaluar në pronësi Manastirit të Deçanit rreth 24 hektarë tokë.

Por, Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Deçanit ku gjendet Manastiri, hezitojnë ta zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse sipas tyre tokat përreth manastirit kanë qenë prona të ndërmarrjeve shoqërore, duke shprehur “habinë “se si i është njohur Manastirit e drejta e palës në procedurë./arbresh.info/

Të ngjashme