Google ADS

Konjufca vazhdon vizitën në Greqi

10:03 | 2 Qershor 2022
Fjolla Bajraktari

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Greqi.

Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje të deputetëve Fitore Pacolli Dalipi, Mefail Bajqinovci, anëtarë, dhe deputetëve Jeta Statovci dhe Ardian Gola, zëvendës anëtarë, janë duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të nëntë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP/PBEJL-së), i cili po mbahet më 1-2 qershor 2022 në Parlamentin e Greqisë, në Athinë.

Sesioni Plenar ka filluar punimet sot me takimet e Komisioneve të Përgjithshme dhe Komisionit të Përhershëm Qendror.

Gjatë takimeve të ditës së parë të punës, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës u përfaqësua nga deputetët Fitore Pacolli Dalipi, anëtare e Komisionit të Përhershëm Qendror, Mefail Bajqinovci, anëtar i Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, Jeta Statovci, zëvendës anëtare e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, si dhe Ardian Gola, zëvendës anëtar i Komisionit të Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë në AP të SEECP-së.

Gjatë takimeve u votuan dokumentet e Komisioneve të Përgjithshme, si dhe u vendos që Kosova të kryesojë dy komisionet e përgjithshme të Asamblesë, Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, dhe Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë.

Ky është një sukses i radhës, me të cilin dëshmohet edhe njëherë gatishmëria e Kuvendit të Republikës Kosovës për përfaqësim sa më të denjë në skenën ndërkombëtare.

Kosova është anëtare e SEECP-së me të drejta të plota qysh nga viti 2015, mirëpo intensifikimi i marrëdhënieve dhe shtimi i rolit të Kosovës ka filluar në vitin 2019 dhe tani ky intensifikim është në rritje të vazhdueshme.

Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i kryesuar nga Greqia si Kryesuese në detyrë, do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme ku pritet miratimi i dokumentit kryesor, Deklaratës së përbashkët përfundimtare, nga Kryetarët e Kuvendeve të vendeve anëtare./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme