Kurti priti në takim drejtorin e Institutit Ndërkombëtar Republikan, Paul McCarthy

23:21 | 1 Qershor 2022
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtorin e Institutit Ndërkombëtar Republikan, Paul McCarthy.

Diskutuan për politikat programore të partive politike dhe kryeministri Kurti tha se nuk mjafton vetëm demokratizimi i institucioneve shtetërore, por nevojitet edhe demokratizimi i partive politike.

Ai theksoi stabilitetin institucional dhe qeverisjen demokratike, si rezultat i të cilave Kosova është renditur në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan sipas World Justice Project, është ngritur për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit sipas Transparency International dhe për 17 vende më lart sa i përket lirisë së mediave, sipas Reporterëve pa Kufij.

Me politikat tona në qeverisje kemi dëshmuar që demokracia dhe ekonomia zhvillohen krahas njëra-tjetrës, tha kryeministri.

Lidhur me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kryeministri ritheksoi që marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe fillimisht Serbia duhet të pranojë dokumentet e Republikës së Kosovës.

Paul McCarthy e falënderoi kryeministrin Kurti për bashkëpunimin dhe tha se do ta mirëpriste në vizitën e tij të ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./arbresh.info/

 

Të ngjashme