Google ADS

Blinken e Stoltenberg së bashku në konferencë, kanë një mesazh për Putinin

21:24 | 1 Qershor 2022
KRG

Në një konferencë të përbashkët për shtyp në Uashington, Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg thanë sot se Presidenti rus Vladimir Putin po përballet me një aleancë më të fortë, me më shumë forca ushtarake dhe me më shumë vende anëtare, ndryshe nga sa e priste.

Sekretari Blinken dhe zoti Stoltenberg informuan se në samitin e ardhshëm të NATO-s që do të zhvillohet pas pak javësh në Madrid, aleanca do të miratojë një koncept të ri strategjik për t’u siguruar që do të përballojë sfidat e sotshme dhe të së ardhmes. Strategjia aktuale e NATO-s është miratuar në vitin 2010.

Strategjia e re do të përfshijë çdo aspekt, që nga aktivitetet keqdashëse kibernetike, militarizimin e shpejtë të Kinës dhe sigurisht përpjekjet e hershme të Rusisë për të dobësuar rendin ndërkombëtar të bazuar mbi rregullat që shërbejnë si themeli i paqes dhe sigurisë në mbarë botën.

Sekretari Blinken u zotua për rritjen e buxhetit të NATO-s, për ripërtëritjen e aleancave në fushën e mbrojtjes dhe kapaciteteve parandaluese. Ai përshëndeti kurajon e jashtëzakonshme dhe aftësitë e popullit të Ukrainës të mbështetur nga ndihma e Shteteve të Bashkuara dhe pothuajse të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, që janë angazhuar për të mbrojtur sovranitetin, demokracinë dhe pavarësinë e Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shprehu gjithashtu mbështetjen për anëtarësimin e ardhshëm të Finlandës dhe Suedisë në aleancë, si dhe për rritjen e pranisë së NATO-s në vendet e Evropës Lindore. Ai tha se mban kontakte të afërta me Presidenti turk Erdogan dhe udhëheqësit e Finlandës dhe Suedisë, dhe se do të organizojë një takim mes zyrtarëve të treja vendeve në Bruksel gjatë ditëve në vazhdim.

Zoti Stoltenberg mirëpriti paketën e re të ndihmave ushtarake për Ukrainën që njoftoi Presidenti Biden sot në mëngjes dhe falenderoi Shtetet e Bashkuara për rritjen e pranisë ushtarake në mbarë Evropën, me mbi 100 mijë forca të dislokuara, të mbështetura nga njësi ajrore dhe detare. Ai tha se e vetmja mënyrë për të shmangur përshkallëzimin është që Rusia të ndalë agresionin dhe luftën që filloi në Ukrainë, ndërsa dënoi retorikën kërcënuese nga Rusia për përdorimin e armëve bërthamore./GE/

Të ngjashme