Google ADS

Qeveria shkarkon bordin e drejtorëve të ndërmarrjes publike “Drini i Bardhë”

13:33 | 1 Qershor 2022
Fjolla Bajraktari

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për shkarkimin e bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike “Drini i Bardhë” dhe emërimin e një bordi të përkohshëm.

Deri te shkarkimi i bordit të drejtorëve të kësaj ndërmarrje erdhi pas propozimit të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se pas vlerësimit të gjendjes dhe duke marrë parasysh raportin e Auditmit të Pasqyrave Financiare të vitit 2019 dhe 2020, të audituara nga Zyra Kombëtare e Audtimit, vihet në përfundim se bordi i emëruar më 18 qershor 2019 konsiderohet se ka qenë i pasuksesshëm.

“Gjatë auditimit të pasqyrave financiare, ZKA ka dhënë opinion të kundërt për pasqyrat financiare të ndërmarrjes dhe duke marrë këtë parasysh, vihet në pah situata e pafavorshme financiare për ndërmarrjen dhe qeverinë si aksionare”.

“Përkundër kësaj, procesverbali i ndërmarrjes lë për të kuptuar se bordi i drejtorëve ka ndërmarrë vendime në formimin dhe funksionalizimin e njësisë operative në Klinë, përkundër faktit që në tremujorin e parë të vitit 2021 ndërmarrja operon me humbje prej 36 mijë euro”.

“Njësia operative në Klinë nuk është paraparë me planin e biznesit për 2021, që do të thotë se nuk ekziston një plan paraprak për të hyrat, shpenzimet dhe veprimtarin që do të realizohet në këtë njësi operative”, është shprehur Rizvanolli, shkruan arbresh.info.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot votoi edhe për bordin e përkohshëm të drejtorëve, ku si kryesuese u votua Arjeta Zeka, ndërsa anëtarë u votuan Ilaz Halili, Arlinda Magbani dhe Ramiz Jukoviq./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme