Ekonomia e Turqisë rritet 7.3 për qind në tremujorin e parë të vitit

01:22 | 1 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Ekonomia e Turqisë ka shënuar rritje 7.3 për qind në tremujorin e parë të vitit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Instituti i Statistikave të Turqisë (TÜİK) njoftoi rezultatet e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) lidhur me tremujorin e parë të këtij viti (janar-mars).

Sipas kësaj, parashikimi i PBB si indeks i vëllimit zinxhir, në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar u rrit 7.3 për qind në tremujorin e parë të këtij viti.

Ndërkohë, parashikimi i PBB me çmime aktuale sipas mënyrës së prodhimit, në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar u rrit me 79.5 për qind në tremujorin e parë të këtij viti duke arritur në 2 trilionë e 496 miliardë e 328 milionë lira. Vlera e tremujorit të parë të PBB-së me çmime korrente ishte 179 miliardë e 800 milionë dollarë në bazë të dollarit amerikan.

Kur shqyrtohen aktivitetet që përbëjnë PBB-në, në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si indeks i vëllimit të zinxhirit u rritën me 24.2 për qind aktivitetet financiare dhe të sigurimeve, aktivitetet e informacionit dhe komunikimit 16.8 për qind, shërbimet 14.9 për qind, aktivitetet profesionale, administrative dhe të shërbimit mbështetës 8.9 për qind, industria 7.4 për qind, aktivitetet e shërbimeve të tjera 6.8 për qind, aktivitetet e pasurive të patundshme 5.4 për qind, administrata publike, arsimi, shëndeti i njerëzve dhe shërbimet sociale 5.2 për qind si dhe bujqësia 0.9 për qind. Ndërsa sektori i ndërtimit shënoi rënie me 7.2 për qind.

Ekonomistët që morën pjesë në anketën e AA Finans për Pritshmëritë e Rritjes, kishin parashikuar një rritje prej 7.2 për qind të ekonomisë së Turqisë në tremujorin e parë të vitit 2022.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme