Kuvendi serb pa asnjë shqiptar, Shasha: Ky është një episod i radhës i cili shpërfaq hendekun në mes të drejtave të pakicave në Kosovë dhe Serbi

11:43 | 31 Maj 2022
A. B.

Drejtori i institutit Epik, Demush Shasha ka reaguar pasi Shaip Kamberi nuk arriti të fitoi madatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë.

Shasha përmes një shkrimi në “Facebook”, ka pyetur a mund të paramendoni një Kuvend të Kosovës pa deputetë të minoritetit Serb? Mund të imagjinoni çfarë skandali do ishte një Kuvend i tillë?

Drejtori tha se ekzakt kështu do të duket Kuvendi i Serbisë në katër vitet e ardhshme – pa asnjë përfaqësues të minoritetit shqiptar, shkruan arbresh.info

Tutje ai tha se ekzistimi i një deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë nuk do kishte ndryshuar praktikisht asgjë, por do ishte akt simbolik demokratik i cili do bënte vet Kuvendin e Serbisë më përfaqësues dhe më të drejtë.

Postimi i tij i plotë:

Mund të paramendoni një Kuvend të Kosovës pa deputetë të minoritetit Serb? Mund të imagjinoni çfarë skandali do ishte një Kuvend i tillë? Kjo është ekzakt se si do të duket Kuvendi i Serbisë në katër vitet e ardhshme – pa asnjë përfaqësues të minoritetit shqiptar.

Patjetër se në këtë ka kontribuar edhe përçarja në mes vet shqiptarëve, por është shqetësuese se si institucionet e Serbisë kanë shfrytëzuar çdo mekanizëm institucional për të keqpërdorur këtë mjedis politik duke orkestruar anulimin e vendimit të komisionit lokal zgjedhor në Tërnocin e Madh, përmes një fizkulture juridike të zbatuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Gjykata Administrative dhe krejt kjo me qëllim që mandati i vetëm shqiptar të kaloj tek partia e Daçiqit.

Ekzistimi i një deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë nuk do kishte ndryshuar praktikisht asgjë, por do ishte akt simbolik demokratik i cili do bënte vet Kuvendin e Serbisë më përfaqësues dhe më të drejtë. Do bënte Serbinë më demokratike dhe më të drejtë. Ky është një episod i radhës i cili shpërfaq hendekun në mes të drejtave të pakicave në Kosovë dhe në Serbi.

Deri sa Kosova është e hapur të shikoj se si të avancojmë edhe më tutje të drejtat e pakicave në Kosovë, Serbia është duke vrapuar në drejtimin e kundërt duke shuar edhe ato pak të drejta që ka gëzuar pakica shqiptare.

Kujtojmë se, Shaip Kamberi nuk ka arritur të fitojë mandatin e deputetit në Kuvendin e Serbisë pas rivotimit që u bë në Tërnoc.

Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës ka marrë vetëm 598 vota, ndërkaq Kamberit i duheshin së paku 610 vota. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme