Zjarri në Tetovë, tre raste me asfiksime dhe një person e ka lënduar gjurin

13:17 | 30 Maj 2022
arbresh.info

Mjeku i Urgjencës, Gazmend Ibishi deklaroi se nga zjarri ka pasur 4 persona të lënduar, tre prej tyre kanë qenë raste të asfiksimit, ndërkaq njëri dyshohet ta ketë thyer gjurin, megjithatë, gjendja e tyre është stabile.

“Ndihma e Shpejtë është në gatishmëri për pacientët, deri tani kemi pasur tre raste me asfiksime që kanë humbur pak oksigjenit, nuk kanë qenë të rëndë, vetëm i kemi transportuar deri në Repartin e Internos. Personat kanë qenë civil që kanë dhënë ndihmë vullnetare edhe një me lëndim që është lënduar me mjetet e transportit, ai është transportuar për në ortopedi, dyshohet për thyerje të gjurit. Gjendja e pacientëve është stabile, janë jashtë rrezikut për jetë”, thotë Ibishi.

Ai apeloi që të gjithë të largohen sa më larg vendit që ka shpërthyer zjarrit për shkak të ndotjes së ajrit.

“Dioksidi i karbonit është shumë më i rrezikshëm dhe shumë më shpejt depërton në mushkëri se sa oksigjeni, prandaj edhe afiniteti i marrjes së dioksidit të karbonit është shumë i shpejtë dhe më i rrezikshëm për mushkëritë. Sa më larg të rrinë të gjithë prej këtyre ambienteve”, tha Ibishi.

Apel që qytetarët të mos dalin jashtë për shkak ndotjes së ajrit

Nga SPB Tetovë apelojnë që qytetarët me probleme respiratore të mos dalin jashtë pasi që nuk dihet nëse materialet që digjen janë të dëmshme.

“Rreth orës 09:30 është lajmuar se në një fabrikë për prodhimin e izolimeve, stirodulit dhe stiropolit, afër monopolit, te rruga “Iliria” ka shpërthyer zjarr. Momentalisht nuk ka informata për të lënduar. Apelojmë që qytetarët që kanë problem me frymëmarrje dhe organet respiratore të mos dalin pa nevojë jashtë sepse ende nuk dihet se sa mund të jetë i dëmshëm djegia e këtyre materialeve”, tha për Portalb.mk zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Është ndërprerë mësimi në Tetovë për shkak ndotjes së ajrit nga zjarri

Kryetari i Këshillit të Komunës, Besar Durmishi njoftoi se nuk ka viktima nga zjarri, por vetëm dëme materiale. Gjithashtu edhe ai apeloi deri te qytetarët që të mos dilet pa nevojë për shkak të ajrit të ndotur.

“Jemi prezent në këtë situatë, zjarrfikësit janë duke punuar për shuarjen e zjarrit, kemi kërkuar menjëherë ndihmë nga Komuna e Gostivarit dhe Qyteti i Shkupit, gjithashtu kemi kërkuar që të angazhohen helikopterë në fikjen e zjarrit për arsye se siç e shihni edhe vetë është e pamjaftueshme që kamionët të arrijnë ta shuajnë zjarrin. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kemi marrë përgjigje pozitive dhe në çdo moment presim që të vijnë. Nga sektori arsimit është dhënë urdhër që shkollat fillore, të mesme dhe çerdhet të lirohen nga procesi edukativo arsimor për arsye të ajrit tepër të ndotur. Apeloj deri te qytetarët të cilët nuk kanë ndonjë punë të qëndrojnë brenda në shtëpi, ë mos dalin jashtë, ata që kanë punë të vendosin maska”, tha Durmishi.

Qendra për Menaxhim me Kriza: Me helikopter do ta parandalojmë shpërndarjen e zjarrit

Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov ka arritur në Tetovë dhe informoi se helikopteri nga MPB do të mundohet ta parandalojë shpërndarjen e zjarrit.

“Bëhet fjalë për zjarr në këtë fabrikë për gips-kartonë dhe gjëra tjera, për momentin punojmë në detektimin nëse ekziston rrezik në ajër, gjegjësisht, nëse ka gazra helmuese dhe çfarë. Gjendja për momentin nga aspekti i gazrave helmues, sipas informatave që i kam nuk është alarmante. Ka nivel të rritur të grimcave PM, të cilët për momentin janë të ngritura lartë, por më vonë do të bien. Po mundohemi ta vendosim zjarrin në kontroll, për momentin do të vijë helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, problemi është fikja me ujë e zjarrit të këtillë nga ajri, mund të shkaktojë shpërndarje të zjarrit. Për këtë arsye kërkuam që uji të hidhet në linjën e zjarrit, të mos hidhet në pjesën e pasme ku kemi edhe enë me materie eksplozive. Apeloj deri te të gjithë të pranishmit të largoheni nga ky vendi derisa nuk vendoset kontrolli i plotë”, tha Angellov./Portalb/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme