Për dy ditë më radhë efektivë të Forcës Detare në Forcat e Armatosura të Shqipërisë zhvilluan në bregdetin e vendit stërvitjen “GrupEx – 22”.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i pranishëm në nisje të kësaj stërvitjeje, e cilësoi të rëndësishme atë, veçanërisht në këtë moment të rritjes së standardeve të Forcave të Armatosura, njoftim Ministria e Mbrojtjes.
Gjatë fjalës së tij, ministri Peleshi foli për një plan ambicioz që Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria ka për Sigurinë Kibernetike.
“Për Forcën Detare kemi gjithashtu ambicie dhe plane ashtu siç i kemi ndarë me komandantin për të shtuar flotën tonë në një të ardhme afatmesme, për të rritur kapacitetet tona të mirëmbajtjes. Jemi në proces të indetifikimit në mënyrat më të mira se si mund të kemi një përgjigje më të mirë të të gjitha nevojave për mirëmbajtje, por edhe siç e thashë të ndërtimit, blerjes së anijeve të tjera siç i kemi në objektivat e kapaciteteve”, u shpreh Peleshi.
Peleshi shtoi se parashikohen investime të mëdha në fushën e infrastrukturës dhe këto po diskutohen dhe planifikohen edhe me programin qeveritar si pjesë e projekteve të mëdha për Shqipërinë.
Ministri i Mbrojtjes vuri në dukje përvojën që Forcat e Armatosura të Shqipërisë morën pikërisht një vit më parë nga stërvitja më e madhe “Defender 2021”.
“Vlen të kujtoj që para një viti, në të gjithë territorin e Shqipërisë është zhvilluar stërvitja ‘Defender-21’; një komponent i rëndësishëm i saj ka qenë edhe në det dhe besoj që kemi marrë mësime, kemi rritur ndërveprueshmërinë në një përmasë që kurrë më parë nuk e kemi patur shansin. Kështu që jemi tani edhe më gati për t’u bërë një vend pritës, jo vetëm në tokë, por edhe në ajër, edhe në det për vitin tjetër, ‘Defender-23’ edhe në vazhdim”, theksoi ministri Peleshi.
Ndërsa komandanti i Forcës Detare, kundëradmiral Adnand Agastra shpjegoi qëllimet e kësaj stërvitjeje, që kanë të bëjnë edhe me shërbimin konkret ndaj komunitetit.
“Pas kësaj stërvitjeje, anijet do të shpërndahen në të gjithë bregdetin shqiptar; nga Shëngjini deri në Sarandë, në të gjitha portet e hapura, por edhe bazat e Forcës Detare me qëllim që t’i përgjigjemi situatave të sezonit për shkak të rritjes së fluksit të turistëve, të përdorimit edhe të paligjshëm të detit. Anijet do të jenë me kohë në rajon për t’ju përgjigjur të gjitha situatave”, u shpreh kundëradmiral Agastra.
Kjo stërvitje kishte si synim vlerësimin dhe certifikimin e grupeve të anijeve patrulluese si njësi zbatuese, testimin e aftësive organizative dhe komanduese të komandantëve të grupeve, planëzimin e Shtabit të Flotiljes Detare si dhe kryerjen e qitjeve me armatimin e anijeve.
Në stërvitjen GrupEx-22 dhe qitjet bregdetare morën pjesë 11 anije të Flotiljes Detare, 3 anije të klasit “Archangel” si edhe Grupi i Bordingut. Stërvitja dhe qitjet bregdetare u zhvilluan në përputhje me dokumentet stërvitore si dhe ato të NATO-s.
Në lidhje me këtë stërvitje ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka shkruar edhe në Facebook.
“Përmbyllet me sukses stërvitja Grupex-22. Anijet e Forcës Detare testuan aftësitë dhe kapacitetet për zbatimin e ligjshmërisë në det në prag të sezonit turistik. Efektivë të Forcës Detare kryen stërvitje dhe qitje bregdetare në përputhje me dokumentet stërvitore të FA dhe NATO-s. Plane dhe ambicie të shtojmë flotën tonë në një të ardhme afatmesme, për të rritur kapacitetet e mirëmbajtjes. Të gatshëm të bëhemi sërish vend pritës për stërvitjen “Defender-23” në tokë, ajër e det”, ka shkruar Peleshi.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...