SHBA, gjatë pesë muajve 27 persona humbën jetën nga sulmet me armë në shkolla

23:41 | 25 Maj 2022
Trina Galanxhi

Në SHBA çdo vit kryhen dhjetëra sulme të armatosura në shkolla ku qindra persona humbin jetën si pasojë e sulmeve, transmeton Anadolu Agency (AA).

David Riedman, hetues kryesor i bazës së të dhënave “K-12 Sulmet e Shkollës” në Qendrën Kombëtare për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Shkollës Detare të SHBA-së, tha se 27 persona humbën jetën si rezultat i sulmeve me armë në shkolla që nga viti i ri.

Sipas raportit të publikuar nga Byroja Federale e Hetimeve të SHBA (FBI), 103 persona u vranë dhe 140 të tjerë u plagosën në vitin 2021, duke përjashtuar sulmuesit.

Në raport thuhet se incidentet e sulmeve në vitin 2021 (243) janë rritur me 48 për qind krahasuar me vitin 2020 (164). Thuhet se numri i të vdekurve nga sulmet në shkolla në vitin 2021 ishte më i larti në pesë vitet e fundit.

Numri i personave që humbën jetën në sulme u rrit me 171 për qind në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020.

Sulmet më të mëdha nëpër shkolla në SHBA

Në një sulm të armatosur dje në një shkollë në shtetin e Teksasit në SHBA humbën jetën 21 persona, mes tyre 18 fëmijë të shkollës fillore, 2 të rritur dhe sulmuesi.

Sulmi është regjistruar si sulmi më vdekjeprurës në shkollë në historinë e Teksasit dhe është i dyti më i madh në vend pas sulmit në shkollën fillore “Sandy Hook” në Connecticut në vitin 2012, i cili vrau 28 persona.

Maj 2018: Një 17-vjeçar sulmoi një shkollë të mesme në zonën e Hustonit, duke vrarë 10 persona.

Shkurt 2018: Në sulmin që ndodhi në shkollën në Parkland të Floridas, 14 nxënës si dhe 3 anëtarë të stafit u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën. I dyshuari i akuzuar për vrasje ishte një 20-vjeç.

Tetor 2015: Sulmuesi, i cili vrau 9 persona dhe plagosi 9 të tjerë në një shkollë në Oregon, më vonë vrau veten.

Dhjetor 2012: Një 19-vjeçar pasi vrau nënën e tij në shtëpinë në Newtown, Connecticut qëlloi me armë në shkollën fillore “Sandy Hook” aty pranë. Sulmuesi qëlloi veten pasi vrau 20 nxënës dhe 6 mësues.

Prill 2007: Një student 23-vjeçar, i cili vrau 32 persona në kampusin në Blacksburg, Virginia, vrau edhe veten. Si pasojë e sulmit u plagosën shumë persona të tjerë.

Mars 2005: Një student 16-vjeçar vrau gjyshin dhe shokun e tij në shtëpinë e tyre në Minnesota. Më pas shkoi në shkollën e mesme “Red Lake” aty pranë, ku vrau pesë studentë, një mësues dhe një roje sigurie përpara se të qëllonte veten.

Prill 1999: Në një shkollë në Littleton të Kolorados, dy nxënës vrasin 12 nga shokët e tyre dhe një mësues, duke plagosur shumë persona të tjerë para se të vrisnin veten.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme