Google ADS

Muja: VV nuk ka ndryshuar qëndrim, nuk do ta mbështesim tërheqjen e mjeteve nga Trusti

08:48 | 25 Maj 2022
E.H

Projektligji për Trustin do të trajtohet sot në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës, i iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës, është në rend të ditës, në mbledhjen e Komisionit që do të mbahet sot, shkruan Reporteri.net.

Opozita po kërkon që nga Trusti të lejohet tërheqja e deri në 30 për qind të mjeteve nga ana e qytetarëve.

Kundër këtij projektligji ka dalë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Armend Muja ka thënë se LVV-ja nuk do ta mbështesë tërheqjen e Trustit, pasi sipas tij prej rreth 1.2 milionë njerëzve në Kosovë të aftë për punë, vetëm gjysma prej tyre kanë llogari në Trust. Ndërsa, 600 milionë është shuma e parave që do të tërhiqen nga Trusti, ku sipas Mujës, 300 milionë shkojnë për të pasurit e kjo gjë do të sjellë më shumë vështirësi.

Muja në Debat plus, ka thënë se partia e tij, ka qenë kundër tërheqjes së Trustit edhe në vitin 2020.

“Ka për qëllim t’i ndihmojë shtresat e pasura të shoqërisë, duke i përjashtuar ato shtresa që më së shumti kanë nevojë apo preken nga çfarëdo lloj krize, përfshirë edhe rritjen e çmimeve” ka thënë Muja.

Një tërheqje e ngjashme deri në 10 për qind është bërë në fund të vitit 2020, pas përkeqësimit të gjendjes financiare të familjeve, për shkak të pandemisë COVID-19. /Reporteri.net.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme