Pushtimi rus i Ukrainës mund të jetë “fillimi i Luftës së Tretë Botërore” që mund të nënkuptojë fundin e qytetërimit, tha miliarderi dhe filantropisti amerikan George Soros në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Në një sulm të ashpër ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin dhe atij kinez, Xi Jinping, Soros paralajmëroi se “regjimet autokratike janë në rritje dhe se ekonomia globale po shkon në depresion”, transmeton portal arbresh.info
Soros ka kritikuar edhe ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel, për trajtimin që kishte ndaj Moskës dhe Kinës.
“Pushtimi mund të ketë qenë fillimi i Luftës së Tretë Botërore dhe qytetërimi ynë mund të mos mbijetojë”, tha ai. “Pushtimi i Ukrainës nuk doli nga asgjëja. Bota po përfshihet gjithnjë e më shumë në një luftë midis dy sistemeve të qeverisjes që janë diametralisht të kundërta me njëri-tjetrin: shoqëria e hapur dhe shoqëria e mbyllur,” tha ai.
“Sot, Kina dhe Rusia përbëjnë kërcënimin më të madh për një shoqëri të hapur,” shtoi ai.
“Varësia e Europës nga karburantet fosile ruse mbeten të ekzagjeruara, kryesisht për shkak të politikave merkantiliste të ndjekura nga ish-kancelarja Angela Merkel. Ajo ka bërë marrëveshje speciale me Rusinë për furnizimet me gaz dhe e ka bërë Kinën tregun më të madh të eksportit të Gjermanisë. Për shkak të kësaj, tani po paguhet një çmim i lartë. Ekonomia gjermane duhet të riorientohet dhe kjo do të marrë shumë kohë”, tha Soros.
Ai shtoi se Putini mori pëlqimin e Xi për pushtimin rus në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit në fillim të shkurtit. Por ai këmbënguli se udhëheqësi kinez nuk ishte “aq i fortë sa mendon ai”.
“Xi po fsheh një sekret të madh. Ai kurrë nuk i tha popullit kinez se ishte vaksinuar me një vaksinë të krijuar për variantin origjinal të virusit Ëuhan dhe që ofron shumë pak mbrojtje kundër varianteve të reja,” pohon Soros.
“Mbyllja e Kinës për të luftuar koronavirusin e ka shtyrë ekonominë në një rënie të lirë, por Xi nuk mund ta pranonte se kishte gabuar. Përveç krizës së pasurive të paluajtshme, dëmi do të jetë aq i madh sa do të prekë ekonominë globale dhe e tërë kjo do të kthehet në depresion ekonomik”, tha Soros.
Ndryshe nga pritshmëritë, Xi mund të mos marrë mandatin e tretë të dëshiruar për shkak të gabimeve që bëri, parashikoi Soros. “Por edhe nëse fiton, Byroja Politike mund të mos i hapë dorën për të zgjedhur anëtarët e Byrosë Politike të ardhshme”, tha ai.
Me luftën në Ukrainë, lufta kundër ndryshimeve klimatike ka dalë në plan të dytë.
“Ndryshimet klimatike janë në prag të bëhen të pakthyeshme. Mund të jetë fundi i qytetërimit tonë”, tha ai.
“Mënyra për të ruajtur qytetërimin tonë është të mposhtim Putinin sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Soros.
“Sa më i dobët të jetë Putini, aq më i paparashikueshëm do të bëhet,” tha ai. “Nuk mund ta parashikoj rezultatin, por Ukraina sigurisht që ka një shans në luftë”, përfundoi Soros./arbresh.info/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...