Deklarohuni si punëkërkues dhe qeveria ju siguron një ofertë për punë

12:03 | 24 Maj 2022
arbresh.info

Pas përfundimit të analizës së detajuar mbi numrin dhe karakteristikat demografike të të rinjve që nuk janë në shkollë, punë apo trajnim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka parë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme institucionale.

Si rezultat, në takimin e dytë ministror është aprovuar Plani i Zbatimit për Skemën e Garantuar për të Rinj që ka për qëllim zvogëlimin e numrit të të rinjve që nuk janë në punësim, shkollim apo trajnim, si dhe sigurimin e një oferte për punësim për të gjithë personat (15-29 vjeç), brenda katër muajve që deklarohen si punëkërkues.

Si hap fillestar, plani parasheh përmirësimin e cilësisë së edukimit profesional, rritjen e numrit të profileve të ofruara nga Qendrat për Edukim Profesional si dhe akreditimin e tyre, zgjerimin e mundësive të të mësuarit nga praktika, ofrimin e edukimit profesional për të rritur si dhe njohjen e mësimit paraprak.

Në këtë linjë, paralelisht me ndërhyrjet në sistemin e edukimit profesional, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë zgjerimin e kapaciteteve të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës dhe rritjen e efektivitetit të shërbimeve të ofruara nga kjo Agjenci, duke inkuadruar edhe shërbime të reja si psh. orientimi në karrierë. Pas kësaj, MFPT do të ridizajnojë Masat Aktive të Tregut të Punës për të siguruar mbulueshmëri të një numri më të madh veçanërisht të personave jo-aktivë dhe atyre të dekurajuar.

Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë që të vazhdojnë punën me hapa konkretë për realizimin e qëllimit të Skemës./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme