Pandemia e koronavirusit sigurisht që nuk ka përfunduar, edhe pse numri i infeksioneve është në rënie, tha drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Ai u tha zyrtarëve shtetërorë të mbledhur në Gjenevë në hapjen e sesionit vjetor të OBSH-së se “ulja e numrit të testeve dhe analizave të virusit do të thotë se jemi të verbuar nga evolucioni i tij”, transmeton portal arbresh.info
Në një raport javor mbi situatën globale, OBSH tha se numri i infeksioneve të reja me koronavirus dukej se ishte stabilizuar pasi kishte ka pësuar rënie në fund të marsit.
Megjithëse ka pasur përparim, me 60 për qind të popullsisë së botës të vaksinuar, “nuk ka mbaruar askund derisa të përfundojë kudo,” tha Tedros, duke shtuar se një miliard njerëz në vendet me të ardhura më të ulëta nuk janë vaksinuar ende.
“Numri i rasteve të raportuara po rritet në pothuajse 70 vende, në pjesën e botës ku shkalla e testimit ka rënë ndjeshëm”, shtoi ai.
Numri i vdekjeve të raportuara po rritet në Afrikë, kontinenti me më pak njerëz të vaksinuar, dhe vetëm 57 vende në botë, pothuajse të gjitha të pasura, kanë vaksinuar 70 për qind të popullsisë së tyre.
Edhe pse, sipas shefit të OBSH-së, furnizimi me vaksina në botë është përmirësuar, në disa vende “ka një angazhim politik të pamjaftueshëm për vaksinimin” dhe në të tjera ka mangësi në “kapacitetin operacional ose financiar” për vaksinim./arbresh.info/